Dy ditë më parë, kreu i FSHF-së, Armand Duka, i doli publikisht në mbrojte trajnerit Panuçi, duke kërkuar edhe kohë për të që të riparojë gabimet.

Lidhur me këtë deklaratë publike të kreut të institucionit të futbollit në vend, ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, në këndvështrimin e tij të të lexuarit të saj, i rikujton Dukës, Sulejman Demollarin, duke mos ia përmendur emrin, por rastin e shkarkimit brenda vitit.

Si e lexoni mbrojtjen publike të presidentit Duka për Panuçin?

Një risi! Është e drejtë e tij që të japë një komunikim në lidhje me trajnerin. Nuk kam si ta komentoj, por ndoshta duket pak e habitshme. Është president, ndaj ai e cakton dhe ai vendos për të.

Duka kërkon kohë ndër rreshta për Panuçin, edhe pse vendos ai vetë…

Sikur të ishte për të gjithë trajnerët kjo, ky qëndrim, do të ishte mirë. Me sa mbaj mend unë, para shumë vitesh kur ishte në drejtim të federatës, sikur t’i jepte kohë në atë periudhë edhe trajnerit shqiptar…

E shkarkoi pas vetëm 9 muajsh dhe do të ishte mirë që një veprim i tillë të bëhet edhe me trajnerët shqiptarë. Por, nganjëherë gjërat ndryshojnë, ishte tjetër kohë atëherë dhe është tjetër sot./panorama-sport/