Janë mbyllur punimet e sotme për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore në Federatën Shqiptare të Futbollit. Në këto punime ka folur kreu i FSHF, Armand Duka, përfaqësuesi i UEFA dhe kreu i federatës së futbollit italian, Gravina, si edhe përfaqësuesi i FIFA, Nodar Akhalkatsi.
Për shkak të procedurave gjyqësore, në punimet e sotme u miratuan pasqyrat financiare dhe buxheti i 2022, ndërsa zgjedhjet për presidentin e FSHF dhe Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv do mbahen në 15 mars 2022.
11:50 – Mbyllen punimet e sotme për Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore në FSHF. Zgjedhjet për presidentin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv do mbahen në 15 mars në orën 10:00.
11:48 – “FSHF është solidarizuar me Ukrainën dhe në mbështetje të tyre kemi dhënë gadishmërinë për të strehuar një numër të familjave të sportistëve ukrainas. Na ka ardhur një kërkesë nga federata e Ukrainës dhe e kemi mirëpritur”, tha në mbyllje të punimeve Edvin Libohova.
11:47 – Miratohet buxheti për 2022, që shkon në 1.68 miliardë lekë.
11:20, Edvin Libohova – Kësaj Asambleje i janë paraprirë dy vendime, por ankimuesit e kanë tërhequr. Por është një tjetër ende që po shqyrtohet dhe po presim që të shfuqizohet. Në respekt të gjykatës, ju ftoj të shtyjmë zgjedhjet për datën 15 mars, ora 10:00. Ju ftoj të votojmë. Miratohet.
11:05 – Përfaqësuesi i FIFA, Nodar Akhalkatsi ka marrë fjalën në këtë Asamble, duke treguar edhe dhembshurinë për ngjarjet në Ukrainë. Sa i takon futbollit, Akhalkatsi ka treguar zhvillimin e infrastrukturës me Armand Dukën në krye të FSHF-së.
“Përshëndes të gjithë familjen e futbollit shqiptar. Unë jam i kënaqur që jam këtu dhe përfaqësoj FIFA. Është shumë e vështirë këto ditë për të ndjekur lajmet mbi futbollin, lajmet politike. Qënia ime këtu lidhet me shqetësimin dhe shpreh lutjet e mia për popullin ukrainas, për viktimat atje. Futbolli këto ditë nuk është më prioritet, të gjejmë mënyra për të ecur përpara. Komuniteti i futbollit po vuan këto ditë. Shoqëria e futbollit tregoi vendosmëri, kur FIFA dhe UEFA morën vendime për situatën e krijuar. Ky është reagimi i duhur i këtyre institucioneve. Më lejoni të uroj gjithë të mirat për popullin e Ukrainës dhe lutjet e mija.
Sa i takon futbollit, FSHF nuk ka shumë për të shtuar. Presidenti Gravina shtoi pikat dhe investimet në fushat e futbollit. Kjo tregon një kontribut të vogël në futboll dhe duke parë ndër vite, kisha shansin të ndiqja zhvillimin e futbollit. Me lidershipin e Dukës kemi një infrastrukturë mbresëlënëse dhe stadiume. Në emër të FIFA ju falenderoj për punën e bërë deri tani. Të gjithë sektorët janë të rëndësishëm. Kjo është fuqia e futbollit, ju lutem vazhdoni në këtë rrugë për të ardhmen. Besoni te mbështetja e FIFA dhe UEFA për futbollin”, tha Nodar Akhalkatsi.
11:00 – Gabriele Gravina, president i Federatës Italiane të Futbollit: “Është vërtetë kënaqësi dhe privilegj i madh të përfaqësoj në Asamblenë tuaj Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe presidentin Ceferin. Është okazioni i parë publik, nëse më lejoni të falënderoj presidentin Ceferin, si njeri që e do sportin, unë e falënderoj për atë që ka bërë në këtë moment, që është afruar për të gjithë ata që kanë vuajtur për këtë luftë që po bëhet në Ukrainë. Ai ishte i jashtëzakonshëm.
Është impenjuar në mënyrë konstante me gjitha energjitë e tij. Do t’i mundësojë të gjithëve rikthimin në shtëpi të sigurtë. Po jetojmë ditë të vështira, pikë së pari prekin ndërgjegjen tonë, në veçanti prekin futbollin. Ne jemi njerëz të futbollit, vlerat në të cilat ne e njohim veten kanë në princip miqësinë. Shoqëria jonë është kompakte për t’i shprehur solidaritetin popullit të Ukrainës. Sporti s’duhet të bëjë politikë. Urimi është të rikthehemi sa më parë në një jetë normale. Mendimi dhe lutjet tona shkojnë për ata që po vuajnë në këtë luftë famëkeqe.
Kemi parë shumë tensione dhe ndërhyrje të jashtme duke detyruar të sjellë UEFA-n në Shqipëri. Unë uroj sot që me rastin e kësaj Asambleje, ta kemi hedhur pas shpine gjithë atë që ka ndodhur dhe të përballemi në këtë aktivitet me qetësi dhe vetëbesimin për të pasur një shpirt sa më të bashkuar dhe solidar, me të cilin të drejtohet futbolli shqiptar. FSHF-ja është një realitet thelbësor në forcimin e politikave të UEFA-s. I referohem modernizimit të infrastrukturave të futbollit.
Dua të them që një zhvillim shumë i madh, me iniciativa ndërkombëtare, janë ndërrmarrë hapa deçizive për zhvillimin e një strategjie për futbollin e femrave. Nuk mund të harrojmë këtu siç është Komisioni Hat Trick dhe takimin e rëndësishmë të 25 majit ku stadiumi i Tiranës do të presë finalen e Conference League. Një rritje strategjike e suportuar dhe nga Komiteti Juaj Ekzekutiv. Është bërë shumë rrugë, por shumë rrugë do të bëhet. Faleminderit për gjithë atë që keni bërë dhe për atë që do të bëni.
10:45, Armand Duka – Është kënaqësi sot që Asamblenë tonë e nderojnë sot shumë miq dhe të ftuar. Më uroni t’i uroj mirëseardhjen delegacionit të UEFA-s dhe presidentit të Federatës Italiane, Gabrieleve Gravina si dhe delegacionit të FIFA-s. I uroj mirëseardhjen Agim Ademi dhe Muhamed Sejdini. Falënderoj trajnerin Edy Reja me të cilin uroj që ta sfidojmë dhe konkurrentin e tij Gianni De Biasi. Përshëndes të gjithë të ftuarit. Më vjen mirë që pas një periudhe të gjatë kufizimesh për shkak të COVID më vjen mirë që kthehemi në normalitet.
Disa Asamble i kemi zhvilluar online. Të mblidhemi bashkë fizikisht dhe të shtrëngojmë duart është diçka ndryshe dhe e domosdoshme për ne. Pavarësisht vështirësive ne kemi punuar për ta çuar përpara lojën. Lufta me kohën na ka kalitur dhe na ka shërbyer si eksperiencë. Kjo është një vlerë e madhe. Kjo forcë buron nga fryma e sakrificës dhe fair-play që na injekton çdo ditë loja e futbollit. Ne jemi të qartë për atë që ka ndodhur.
Duke kërkuar me qetësi me atë që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, unë dua që të punojmë për të çuar përpara futbollin. Nuk duhet të ndikohemi nga situatat artificale që janë krijuar. Nuk zgjidhet asgjë me gjyqe dhe penalitete. Iu kërkoj vetëm një gjë, bashkim dhe kontribut për lojën e përbashkët. Futbolli ka nevojë për të gjithë ne. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë vit të vështirë, veçanërisht lojtarët e ekipit Kombëtar.
Shkëlqejmë në futboll me rezultate të prekshme dhe të matshme. Dua të vlerësojmë rezultatet e ekipit Kombëtar A, edhe pse në kushte të vështira, bëri një përfaqësim dinjitoz. Treguam lojë të mirë. Këtë herë arritëm një rekord pikësh prej 18. Cilësia është e mirë, e ardhmja e sigurtë. Infrastruktura për ne është gjëja më e rëndësishme që e kemi vazhduar edhe në vitin 2021.
Kjo periudhë e vështirë që kaluam mes tërmetit dhe pandemisë, na mësoi që të vlerësojmë solidaritetin njerëzor për të arritur objektivat që i vumë vetes. Të jemi sa më solidarë brenda familjes tonë të futbollit. Asgjë s’është e pamundur nëse s’jemi të gjithë bashkë. Të flasim dhe të shpalosim sfida. Ka forcën për të ecur përpara. Çdo përpjekje për të gjetur zgjidhje jashtë futbollit, krijon përshtjellim dhe kaos. I uroj punë të mbarë Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.
10:40 – Kujtohen nga FSHF personat që kanë kontribuar për futbollin dhe janë ndarë nga jeta në vitin e fundit.
“Ramazan Rragami, kontribut të vlerësuar në fushën e trajningut. Robert Jashari, ish-trajner. Ylli Mihali, fizioterapisti i Kombëtares. Arben Laze, presidenti i Elbasanit. Vladimir Ajazi, ish-trajneri i portierëve në Kombëtare. Remzi Bulku, arbitri Shefqet Kaslli, Hamdi Zhegu, ish-drejtues i stadiumit “Selman Stërmasi”. Kostandin Grillo, Spartak Elmazi, Ilir Haxhiu, Vladimir Grillo”, kujtoi Dritan Kokona.
10:35 – Nis Asambleja e Përgjithshme e FSHF me himnin Kombëtar.