Zhurma e krijuar ditët e fundit në lidhje me arbitrat e huaj për ndeshjen Teuta- Vllaznia tashmë është zbehur dhe askush nuk e ka më mendjen aty.

Drejtuesit shkodranë kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre për një treshe arbitrash të huaj dhe tashmë janë fokusuar tek përgatitjet për sfidën e së dielës.

Nuk ka më asnjë dyshim që arbitrat do të jenë shqiptarë. Padyshim që sektori i gjykimit pranë FSHF-së duke parë edhe rëndësinë e ndeshjes, do të përzgjedhë treshen më të mirë për këtë takim.

Natyrisht që vëmendja do të jetë e përqendruar tek tre arbitrat që mbajnë stemën e FIFA-s por në fakt njëri prej tyre është shpallur “non grata” nga kuqeblutë.

Bëhet fjalë për lezhjanin Eldorian Hamiti i cili i ndëshkoi tre javë më parë në Kukës.

Në dy arbitrat e tjerë të mbetur në garë, edhe një tjetër ka qenë “i padëshirueshëm” për shkodranët.

Bëhet fjalë për Enea Jorgjin i cili pikërisht ndaj Teutës një sezon më parë i ka ndëshkuar në mënyrë të padrejtë në ndeshjen çerekfinale të Kupës.

Nuk përjashtohet mundësia që kësisoj kjo ndeshje të gjykohet nga Juxhin Xhaja, megjithatë duhet pritur deri të dielën për të parë se kush do të përzgjidhet për të arbitruar në “Niko Dovana”.
© shkodrasport.com