Nga Endri ÇINARI

Kampionati i Kategorisë së Dytë ka ulur siparin ditën e shtunë për ekipet e qarkut Shkodër në grupin A. Në ndeshjet e “play off” për të tentuar ngjitjen në Kaegorinë e Parë, si Veleçiku apo ashtu edhe Tërbuni nuk ia dolën përballë kundështarëve. Koplikasit u mposhtën në Luz nga vendasit me rezultatin 2-0 e po me të njëjtin rezultat u mposht edhe Tërbuni ndaj Sopotit në Librazhd.

Me Luzin dhe Sopotin që do kenë edhe një ndeshje mes tyre për për të përcaktuar fituesin, që do përballet me ekipet që do renditen në vendin e 9-të ose të 10-të të Kategorisë së Parë. Por për tu kthyer tek ekipet e qarkut Shkodër, ata ishin 4 të tilla që morën pjesë në grupin A të Kategorisë së Dytë për sezonin 2024-25. Ku siç e theksuam, Veleçiku i Koplikut dhe Tërbuni i Pukës ishin pjesë e “play off” në fund të sezonit.

Debutimin në këtë ligë për herë të parë në histori bëri edhe Basania e Bushtati. Që 5 vjet pas krijimit të skuadrës ka ngjitur shkallë në futbollin shqiptar. Pavarësisht se pretendimet ishin më të larta dhe ambicioze seç u paraqit ekipi në fund të sezonit. Një lajm jo pozitiv është rënia e Murlanit të Barbullushit nga kjo kategori. Ekipi portokalli nuk arriti t’i bënte ballë garës, duke u rrëzuar kështu nga liga.

Dhe kësisoj qarku i Shkodrës do ketë një ekip më pak në këtë kategori në sezonin që vjen. Një sezon me ulje dhe ngritje për ekipet e qarkut Shkodër, që patjetër sezonin tjetër premtojnë për më shumë. Ku ekipe si Veleçiku dhe Tërbuni kanë qenë pjesë e vazhdueshme e Kategorisë së Parë, madje me pukjanët që kanë prekur edhe Superioren në sezonin 2015-16.