Kampionati i 11-të kombëtar i futbollit të femrave ka ulur siparin pasditen e sotme me caktimin e renditjes përfundimtare të 10 skuadrave pjesmarrëse. Verdikti i skuadrës ishte dhënë që dje kur Vllaznia mori kupën e kampiones, ndërkohë që sot Apolonia është renditur e dyta ndërkohë që është përcaktuar edhe fati i vendit të tretë.
Gjithçka varej nga sfida Apolonia- Juban Danja që u luajt pasditen e sotme në stadiumin e Fierit. Një fitore e vajzave shkodrane të drejtuara nga Elis Legata, do t’i ngjiste ata në vendin e tretë në renditjen përfundimtare.
Por nuk ka ndodhur kështu. Fieraket kanë fituar 3-1 dhe kësisoj “Juban Danja” është pozicionuar përfundimisht në vendin e katërt të renditjes. Golin e vetëm për të në takimin e sotëm e ka shënuar Enxhi Selimi.
Duhet thënë se ndaj një skuadre pretendente si Apolonia, ekipi shkodran ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe ndonëse jo me të gjithë kontigjentin e gatshëm sërish ka rivalizuar me dinjitet.
Objektivi i këtij ekipi ka qenë renditja në treshen e ekipeve më të mira dhe për pak edhe mund t’ia kishte arritur, megjithatë disa gabime të vogla të bëra gjatë rrugës e kanë kushtëzuar këtë gjë. Megjithatë ekipi i parë i futbollit të femrave në Shqipëri vijon të thotë fjalën e tij dhe meritë të padiskutueshme për këtë, ka padyshim presidenti Ferdinand Jaku.
www.shkodrasport.com