Pasditen e sotme është kurorëzuar me sukses përfundimi i kupës me emrin “Artan Medja” organizuar në nderim të ish- futbollistit të Vllaznisë të ndarë nga jeta gjatë një aksidenti 24 vite më parë.

Finalja ka dhuruar shumë emocione dhe pas barazimit 2-2, janë gjuajtur penalltitë.

Pritja e portierit Filtron Kiri i ka dhënë fitoren skuadrës me kapiten Admir Mehjen dhe me futbollistët e tjerë në rradhët e saj si Guri, Kuçi, Çoba, Isufi etj.

Ato kanë triumfuar ndaj ekipit tjetër të përbërë nga Behari, Isufi, Paçrami, Kaçi etj. Në fund të aktivitetit është organizuar edhe ceremonia e dorëzimit të kupave.

Kanë marrë pjesë në të përveç familjarëve të Artan Medjes edhe ish- trajnerët e tij Taip Piraniqi e Ismet Hoxha si dhe ish- kolegët futbollistë Edi Martini, Armir Grima, Suad Lici, Uliks Kotrri, Brikeno Bizi, Safet Osja etj.

Ka patur dy dhurata për familjarët e Artanit, pikërisht një orë me fotografinë e tij, e punuar nga sportdashësi i njohur Saimir Beqiri si dhe një fanellë e Vllaznisë me numrin 10 me të cilën ai ka luajtur.

Më pas është dorëzuar kupa për portierin më të mirë- Filtron Kirin si dhe për lojtarin më të mirë të aktivitetit- Alis Paçrami.

Momenti më interesant ka qenë dorëzimi i kupës nga Agron Medja (i vëllai i Artanit) në duart e kapitenit të ekipit fitues Admir Mehja.

Padyshim që të gjithë kanë përjetuar emocione dhe mbi të gjitha, janë ndjerë mirë sepse është kujtuar një sportist i cili fatkeqësisht u nda herët nga familja dhe shokët e tij.

Organizatori kryesor i këtij aktiviteti, Alban Neziri u shpreh i kënaqur që një aktivitet i tillë ia arriti qëllimit dhe premtoi se në bashkëpunim sërish me klubin Vllaznia do të ketë të tjera kupa edhe në të ardhmen në nderim të figurave të tjera sportive që nuk jetojnë më.
© shkodrasport.com