Kur pritej të ishte ose Vllaznia ose Tirana fituese të Kupës së Shqipërisë në boks, në fakt këtë trofe për vitin 2016 e ka merituar Teuta. Ky është verdikti i dalë pas ndeshjeve të sotme finale të zhvilluara në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Durrsakët kanë nxjerrë tre vende të para, po aq sa edhe Tirana por kanë patur më shumë vende të dyta dhe për rrjedhojë kanë grumbulluar më shumë pikë duke merituar kupën.  Ndërkohë në vend të tretë është renditur Vllaznia e cila nuk ka bërë një paraqitje të mirë në këtë aktivitet.

Prej saj, vetëm Hysa ka arritur të zërë një vend të parë. Ajo që ka rënë në sy në fakt ka qenë niveli i ulët i pjesmarrësve dhe kjo u reflektua edhe në finale nuk pati ndeshje në të gjitha peshat. Boksieri më i mirë i Kupës është shpallur Alban Beqiri i Tiranës që tregoi një formë shumë të mirë sportive. Presidenti Kalivopulli pas përfundimit të aktivitetit është shprehur: “Vërtetë kishim mangësi në pjesmarrje ngaqë shumë boksierë kanë qenë të dëmtuar që nga kampionati apo dhe turnetë ndërkombëtarë të zhvilluar së fundi, megjithatë besoj se aktiviteti ia arriti qëllimit sepse pati edhe ndeshje të bukura. Po mbyllim një vit besoj të suksesshëm sa i takon aktiviteteve kombëtare dhe na duhet të punojmë për të rritur nivelin edhe në arenën ndërkombëtare”. Nderkohë përpara fillimit të ndeshjeve finale, drejtuesit e Federatës kanë shpërndarë disa Mirënjohje për veteranë të këtij sporti me rastin e 25 Vjetorit të rihapjes së boksit. Për këtë janë nderuar Liman Kulla, Ramiz Halili e Kujtim Demi (pas vdekjes), Todi Janku, Ahmet Golemi, Ismet Bellova, Ismet Varfi, Ethem Ibrahimi dhe Ramiz Reka.

Finalet
52 kg Edjon Lelaj (Flamurtari)- Ardit Murja (teuta) fiton Murja për mosparaqitje të kundërshtarit
56 kg Klevis Vrapi (Teuta)- Serxhio Kikrri (Teuta) 3-0
60 kg Krenar Zeneli (Flamurtari)- Denis Muça (Arena) 3-0
69 kg Denis Nurja (Tirana)- Arnold Kuqari (Apolonia) fiton Nurja për tërheqje të kundërshtarit
75 kg Albi Sorra (Teuta)- Alban Beqiri (Tirana) 0-3
91 kg Emiljan Xhediku (Tirana)- Indrit Laçi (Tirana) 2-1
+91 kg Nelson Hysa (Vllaznia)– Albert Kapaj (Vllaznia) fiton Hysa për mosparaqitje të kundërshtarit

Boksieri i perspektivës: Ardit Murja (Teuta)
Boksieri më luftarak: Emiliano Xhediku (Tirana)
Boksieri më teknik; Krenar Zeneli (Flamurtari)
Boksieri më i mirë: Alban Beqiri (Tirana)

Renditja ekipore:
1.Teuta
2.Tirana
3.Vllaznia