Nga Endri ÇINARI

Java e 9-të e Superiores do mbyllë fazën e parë të edicionit 2024-25. Nga ajo çfarë është shfaqur deri më tani, surprizat kanë qenë të pakta. Dhe ekipet e cilësuara si pretendente në letër para nisjes së kampionatit janë brenda pritshmërive. Raundi i fundit i fazës së parë do ndahet në dy ditë, atë të shtunë dhe të dielë.

Dhe kjo javë sjell me të vërtetë përballje interesante dhe të gjitha për tu shijuar. Gjithçka nis nga dita e shtunë në orën 14:00, ku në fushë do zbresin Laçi dhe Vllaznia. Në atë që cilësohet si derbi i veriut dhe ku kurbinasit duan të dalin nga kriza. E ndërsa shkodranët duan ta mbyllin sa më mirë fazën e parë, ku kanë shfaqur një futboll goxha bindës.

Në po të njëjtën ditë dhe orë do luhet edhe ndeshja Egnatia-Teuta. Me dy ekipe që në këtë përballje vijnë thuajse të barabarta dhe dueli mes tyre pritet të jetë goxha i fortë. Në orën 17:00 të së shtunës do luhet edhe derbi i kryqytetit. Tirana në nevojë për pikë do ketë përballë Dinamon. Me këta të fundit që kanë marrë fytyrë tjetër pas uljes në stol të Ilir Dajes.

Java do vijojë të dielën në orën 14:00, me ndeshjen Bylis-Skënderbeu. Një ndeshje direkte për zonën e ftohtë të renditjes. Ku si mallakstriotët ashtu edhe korçarët nuk po kalojnë momente pozitive në kampionat. Gjithçka do mbyllet në orën 17:00 të së dielës me ndeshjen e fundit të javës së 9-të. Në Elbasan, vendasit do presin Partizanin, me një ndeshje që luhet për zonat e larta dhe kryesuese të Superiores./www.shkodrasport.com/