Nga Endri ÇINARI

Pavarësisht se kampionati shqiptar ka qenë pushim këtë fundjavë, për shkak të angazhimit të kombëtares kuqezi, disa nga skuadrat e elitës kanë zbritur në fushë. Një ndër to është edhe Vllaznia, që ditën e djeshme zhvilloi një takim miqësor. Kuqeblutë u përballën me Ilirinë e Fushës Krujës, në fushën e këtyre të fundit.

Rezultati përfundimtar ishte në favor të Ilirisë me shifrat 1-0. Por kjo pak rëndësi kishte për shkodranët të cilët donin të mbanin në ritëm skuadrën e sidomos disa prej lojtarëve të stolit. Duke qenë se në këtë ndeshje gjetën hapësira ata që kanë pasur pak minuta gjatë këtyre javëve në kampionat. Pas kësaj miqësoreje, trajneri Brdariç ka vendosur ta lërë skuadrën dy ditë pushim.

Kështu Vllaznia do rikthehet ditën e martë në fushën stërvitore. Ku kuqeblutë do nisin përgatitjet për javën “anti Laçi”. Takimi me kurbinasit që do luhet të shtunën tjetër në transfertë mbyll edhe fazën e parë të kampionatit.

Ku deri më tani pas 8 javësh, Vllaznia mban vendin e dytë në renditje me 14 pikë. 1 më pak se kryesuesit e Partizanit që kanë grumbulluar 15 pikë./www.shkodrasport.com/