Ende nuk lejohen tifozët në shkallët e stadiumeve në Shqipëri, por në Shkodër janë të etur për të parë Vllazninë. Dhe për këtë arsye, sakrifikojnë jo pak.

Këtë e tregon më së miri veprimi i djeshëm i dy tifozëve të kësaj skuadre. Njëri prej tyre, pikërisht Adrit Kraja eshtë ngjitur deri në Pukë me biçikletë dhe me flamurin e Vllaznisë.

Tjetri, ai që të gjithë e njohin si “Sheri snaiperi”, ka udhëtuar nga Shkodra drejt Pukës me motorin e tij të cilin madje e ka parkuar brenda ambjenteve të stadiumit “Ismail Xhemali” deri në fundin e ndeshjes.

Shembulli i këtyre dy tifozëve është treguesi më i mirë i asaj se shkodranët janë të veçantë nga mënyra si e mbështesin skuadrën e tyre.

Ka ndodhur para viteve ’90 (atëherë ndoshta për efekt mungese mjetesh motorike) që të udhëtonin me biçikleta jashtë Shkodrës për të mbështetur Vllazninë, por në fakt kjo po ndodh edhe në vitin 2020 dhe është diçka fantastike.
www.shkodrasport.com