Nga Skifter Këlliçi

“E di Loro se kur të kam parë për herë të parë në stadium”?…
Këtë pyetje i drejtova  Boriçit atë pasdite të vonë të datës 20 qershor të vitit 1972, kur  avioni sapo  u ngrit  nga pista e hirtë e aeroportit të Helsinkit, për të  shpënë përfaqësuesen tonë, që unë e shoqëroja si gazetar, në Budapest, nga ku me tren do të arrinte në Beograd dhe pastaj që andej  me autobus  në Tiranë.

Fatkeqësisht, kështu i bënte asokohe ajo udhëtimet  jashtë vendit!..
Ulur pranë meje, Loroja ngriti  supat dhe buzëqeshi pakëz me habi. Dhe kishte të drejtë.
Një pasdite tetori  te vitit 1945, kur nuk isha veçse shtatë vjeç, – vazhdova unë, – dhe kur në stadiumin e Tiranës, që më pas do të quhej “Qemal Stafa’, përfaqësuesja e Tiranës, ku luaje edhe ti, fitoi 5-2 kundër kombëtares së Maqedonisë. Të kujtohet?
“Pa tjetër që më kujtohet- m’u përgjigj Loroja. Në atë takim pata shënuar tre gola…nga të  cilët një me 11-metërsh, –  plotësova unë…
Sa mirë i mbanke mend!…
Kisha pasur rastin deri atëherë të bisedoja me Boricin për ngjarje sportive, veçanërsht në intervista në Radio Tirana dhe në TVSH, por kurrë kaq gjatë, më shumë se dy orë  gjatë këtij fluturimi.
I kujtova  Loros se qysh  në atë ndeshje që e kisha parë së bashku me fëmijë të tjerë të mëhallës, u dashurova me të, edhe sepse ai ishte shkodran, si nëna ime. Ndaj një vit më pas, përsëri me fëmijë të mëhallës, ndoqa Ballkaniadën e vitit 1946, kur pas fitores kundër  Bullgarisë (3-1), Boriçi shënoi dy gola dhe pas  fitoren tjetër kundër Rumanisë (1-0). Shqipëria u bë kampione e Ballkanit në futboll dhe ai mbi podium, ngriti lart  kupën e fitores.
Që aty, shumë nga ne të miturit, i shpjegoja Loros, i shtrëngonim nënat që të qepnin  në kanotieret tona numrin 9, atë numër që mbante ai, qëndërsulmuesi i madh Boriçi, kapiteni i kombëtares dhe i “Vllaznisë”, dy herë kampione më 1945 dhe 1946.
Pas këtyre fjalëve Loroja qeshi, aq me tepër kur i kujtova se atëherë, mbi kabinën e një kamioni të vjetër në rrugën që ndante më dysh mëhallën tonë, ku luanim futboll, unë imitoja Anton Mazrekun dhe mbiquaja “Boriçi ynë”, një kalama, më i gjatë se ne, të cilit ia kishin zili të tërë fëmijët, se kaq bukur luante me top, aq më tepër prej lecke…
Kështu, kur avioni çante përmes reve që flakërinin nga rrezet e mbrame  të diellit, vazhdoja t’i rrëfeja Loros kujtime të tjera  që lidheshin me jetën e tij  nëpër  fushat e futbollit.
Më 1953 Boriçi kishte gjashtë  vjet që luante  në radhët e “Partizanit”, pra që nga vitet 1947-48, kur kishte kryer shërbimin ushtarak. Dhe ne fëmijët, si mijëra e mijëra të tjerë anekënd Shqipërisë, ishim  bërë tifozë me “Partizanin, sepse adhuronim… Loron. I kujtova atij rastin kur në finalen e kampionatit të atij viti kundër “Dinamos”, e goditi topin me kokë para  portierit Vogli, që mbeti i ngrirë; topi u përplas për tokë, doli jashtë dhe pas disa minutash pas Bakalli shënoi , “Dinamo” fitoi 1-0  dhe u shpall kampione. Më shpjegoi se ai rast ishte nga kujtimet më të hidhura të jetës së tij si futbollist. (Një vit më pas në një intervistë të përfshirë në filmin dokumentar të Kinostudios “Nëpër fushat e futbolli”, bashkë ne Loron u ndodhëm po para saj porte të fushës së stadiumit “Qemal Stafa, ku ai më shpjegoi se 100 here të kishte gjuajtur, po aq gola do të kishte shënuar).
Në mesin e viteve 50-të në Shqipëri nuk njihej se çfarë ishte loja me qendërsulmues të tërhequr në sistemim WM, (3-2-3-3). Por mua, ndonëse 13-14 vjecar, më bënte përshtypje që Loroja tërhiqej pas, ndërsa dy gjysmë sulmuesit bashkoheshin në një vijë me sulmuesit anësorë, (3-3,4). Por vite më pas, kur u bëra gazetar, lexova në shtypin e huaj se kështu kishte filluar të luante qendërsulmuesi i madh hungarez Hidekguti. E pyeta Loron nëse ishte ndikuar nga ai. Ai qeshi,.”Jo,-_m’u përgjigj, – se kundër tij kisha luajtur vetëm një herë në vitin1950-të në Budapest, por e ndieja se kështu duhej të luhej në futbollin ndërkombëtar”.
Çfarë intuite e këtij futbollisti të madh! Jo më kot pas takimit Hungari-Shqipëri të atij viti, siç më kishte shpjeguar më vonë mësuesi dhe më pas kolegu im, Mazreku, që e kishte komentuar këtë ndeshje, hungarezët i  kishin thënë se një qendër sulmues i tillë si Boriçi i duhej Hungarisë legjendare të viteve 50-të.
Ndërsa ai fliste, m’u ndërmend një artikull i  Anton Mazrekut, botuar më 1938, në gazetën “Sporti Shqiptar”, ku atij i kishte bërë përshtypje loja e bukur e një futbollisti 16-vjeçar të “Vllaznisë”, i cili binte shumë në pah. E kishte fjalën për Loron. Katër vjet më pas, po Mazreku  në të përditshmen  “Tomori”, kur përshkruante takimin “Juventus -Lacio”, të zhvilluar në Torino”, në të cilën  kundër njeri-tjetrit   përballeshin  përkatësisht shqiptarët Lushta dhe Boriçi, pasi i vlerësonte të dy, nënvizonte: “Boriçi, 20  vjeç, lojtar me trup për t’u pasur lakmi me  një të ardhme të shkëlqyeshme para vetes”. Dhe nuk gabonte.
Pastaj e pyeta Loron se nëse i kujtohej se kur ishim njohur bashkë. Nuk besoja ta mbante mend. Por nuk ndodhi kështu.”Në pranverë të vitit 1962,- më shpjegoi pa u menduar gjatë, – kur më ftove në një studio të Radio Tiranës për një intervistë, pasi më ishte dhënë titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Dhe ishte i pari të cilit i jepej ky titull, aq më tepër, kur pasi ishte kthyer nga studimet e larta në Bullgari 1962-63, 64-65, e kishte nxjerrë “Partizanin” kampion,  dhe më 1971 edhe kampion të Ballkanit…
Na  shkëputi nga kjo bisedë me kujtime kaq të prekëse, vetëm zëri i pilotit të avionit, i cili na njoftoi se  po uleshim në aeroportin e Tiranës…

…Një herë,për ironi të fatit, në orët e vona të  një pasditeje të tetorit  të vitit 1981, njëvit para se të shuhej, rasti e solli  që të takohesha me Boriçin para një dyqani në radhë për të blerë… patate, ato që diktatori Enver Hoxha i quante edhe bukë edhe gjellë. Por nuk patën mundësi të bisedonim, sepse blerësit, sapo e pikasën, kundër dëshirës së tij, e vunë të parin në radhë .Ç’mjerim, – më tha me zë të ulët një mik i besuar. Ky futbollist që do të kishte luajtur në çdo sport klub   të Evropës, dhe do të ishte bërë i pasur, nga dëshira që të ngrinte lavdinë e futbollit, ishte kthyer  në atdhe për të mbetur i varfër, por i  dashur respektuar, si shumë të tjerë të talentuar si ai.
Ndaj kur kujtohet, edhe fëmijët që nuk e kanë njohur, thonë për të: “Loroja i  topit, Loroja dhe i të gjithëve”…

Pikat kulmore të Loro Boriçit

Dy janë pikat më kulmore të futbollit tonë: Fitorja më 1946 e titullit kampion në turneun e futbollit të lojërave Ballkanike të zhvilluara në Tiranë më 1946, ku Shqipëria mundi Rumaninë 1-0, dhe gjithashtu fitorja e këtij titulli, por këtë radhë në Kampionatin Ballkanik të Futbollit për të Rinj, më 1978, finalja e të cilit u zhvillua po në Tiranë, në të cilin Shqipëria mundi përsëri Rumaninë, por këtë radhë 7-1.
Dy ngjarje të jashtëzakonshme ku protagonist është përsëri Loro Boriçi. Në të parën ai është kapiteni i skuadrës tonë që ne kurorën e kampionit të Ballkanit, në të dytin aktivitet ai jep kupën shqiptarëve të vegjël si pasardhës së tij. Janë dy fito që do mbeten legjendare Në të parën shihet Loro Boriçi, kapiteni i skuadrës sonë legjendare, me kupën e fitores së Ballkaniadës në duar dhe në tjetrën, 32 vjet më pas, përsëri Loro Boriçi, tashmë trajner kombëtar, që i dorëzon futbollistit të njohur, Ballgjini, kapiteni i përfaqësueses sonë, kupën e Kampionatit Ballkanik të Futbollit për të Rinj. Qendërsulmues, u bë që atëherë simboli i futbollit shqiptar. Kishte nisur të luante që më 1938 me “Vllazninë”, kur nuk ishte veçse 16 vjeç, duke premtuar se do të bëhej futbollist i madh. Në fillim të viteve ’40-të, gjatë studimeve universitare në Romë, luajti më “Lacion”. U shqua si qendërsulmues krahas Piolës, qendërsulmuesit të axurrëve, kampionë të botës më 1938..Me kapitullimin e Italisë fashiste u kthye më 1943 në Shkodër. Nga viti 1945- 47 luajti me “Vllazninë” e pastaj me “Partizanin”, trajner i të cilit u bë më pas. Ishte i domosdoshëm në të tria ndeshjet e kombëtares gjatë Lojërave Ballkanike, si dhe në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësuess sonë, ku luajti deri më 1957 24 herë.

Loro në Ballkanidadë
Loroja ishte i kujdesshëm në lojë e përpiqej të mënjanonte ndërhyrje rënda e, për më tepër, t’i dëmtonte, qoftë edhe pa dashur kundërshtarët. Por zemërohej kur ndaj tij mbrojtësit shkaktonin faulla pa vend. Më kujtohet një episod domethënës në takimin me Hungarinë, të zhvilluar më 25 maj të vitit 1948, të cilin e kam përmendur në pjesën e parë. Portieri Tot nuk arriti të zotëronte një top të fortë dhe Boriçi, me intuitën e një lojtari të zgjuar, iu shkëput mbrojtësve kundërshtarë. U ndodh para topit, aq sa edhe Toti. Mund të gjuante, mund ta kalonte topin mbi trupin e portierit, por edhe mund ta godiste atë rëndë në fytyrë apo kokë, ndaj kërceu mbi të. Ishte një rast i rrallë për të shënuar dhe për ta fituar atë ndeshje. Besim Hamdiu, punonjës i stadiumit, që ma pas do të bëhej gjyqtar i njohur, që ndodhej pranë meje, nuk u përmbajt e briti: “Ah, mor Loro, i butë që i butë mbete edhe atëherë kur nuk duhet!”