Këtë fundjavë ekipet e basketbollit, ashtu si gjithë ekipet e tjera sportive të vendit, kanë qenë pushim ngaqë kampionatet kombëtare nuk janë zhvilluar për shkak të situatës së krijuar në vend nga tërmetet.
Kjo gjë është shfrytëzuar ndërkohë ashtu si duhet nga ekipi I meshkujve I Vllaznisë I cili po bëhet gati për sfidën e rradhës për Ligën Ballkanike, atë që do të zhvillojë ditën e mërkurë në orën 18.30 në Plovdiv të Bullgarisë ndaj ekipit vendas Akademic Bultex.
Java që po lëmë pas I ka shërbyer mbi të gjitha trajnerit të ri të ekipit shkodran, Vladimir Ivankoviç që të njohë më mirë ekipin dhe të krijojë një ide më të qartë për mënyrën si do të luajë ai në këtë takim por edhe në vazhdim. Ivankoviç është vënë prej ditës së martë në krye të ekipit duke zënë vendin e mbetur bosh nga dorëheqja e trajnerit të mëparshëm Gospodinov.
Kjo javë ndërkohë ka shërbyer edhe për të rikuperuar tre prej lojtarëve që kanë patur probleme dëmtimesh si Hudson, Perine dhe Devonte të cilët nuk luajtën në ndeshjen e kaluar ndaj Partizanit për këtë arsye. Detyra e trajnerit të ri sigurisht që është të rregullojë shumë gjëra në lojën e skuadrës dhe sidomos në mbrojtje, gjë që nuk arriti dot ta bënte paraardhësi I tij.
Por mbi të gjitha Ivankoviç duhet të rregullojë harmoninë në skuadër dhe ndarjen që ka ekzistuar në mes lojtarëve shkodranë dhe atyre të huaj. Nëse ia del për këtë gjë, padyshim që sukseset do të vijnë dhe pse jo që të mërkurën në Bullgari.
www.shkodrasport.com