Mesfushori shkodran, Ardit Krymi, është i mendimit se Vllaznia do të kishte marrë më shumë nëse forcat në fushën e lojës do të ishin të barabarta. Ai thotë se edhe në situatën që u krijua, me pak fat, ekipi mund të kishte marrë maksimumin e pikëve. Megjithatë, ashtu siç shkoi loja, një pikë në një sfidë të tillë duhet quajtur pozitive. Krymi ka folur edhe për lojën në rritje nga ekipi shkodran, por edhe për sfidën e radhës ndaj Partizanit.


Një pikë me vlerë e arritur ndaj Teutës. Mund të kishit marrë edhe maksimumin?

Mendoj që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Kjo, pasi luajtëm për 60 minuta me një lojtar më pak. Ashtu si shkuan rrethanat e lojës, një pikë nuk ishte keq, por jam i bindur se me 11 lojtarë do ta fitonim këtë sfidë. Mund të them se luajtëm më mirë se Teuta, por na mungoi edhe fati.


Sa ju dëmtoi kartoni i kuq i dhënë në dëm të Aralicës?

Po normale që na dëmtoi. Kur të largohet një lojtar, sidomos sulmuesi, është normale që ndihet sepse për ne në vijim do të ndryshonte gjithçka. Por, mendoj se e zgjidhëm, pasi kur ke lojtarë si Latifi apo Da Silva, nuk ke pse të kesh probleme në pjesën e sulmit, sepse ata kanë cilësi shumë të mira. Edhe për ne është më e thjeshtë me lojtarë të tillë.

Si e vlerësoni gjykimin e këtij takimi, ku moviola nxjerr edhe një mosdhënie kartoni të kuq për lojtarin e Teutës?

Kartoni i dytë i kuq i takonte Teutës, sepse aty shihet qartë që kishte goditje, po ne jemi mësuar tashmë me këto probleme dhe duhet të mos i llogaritim këta. Po penalizohemi thuajse në çdo takim.


Po kthehet Vllaznia e lojërave të bukura dhe e fitoreve?

E kam thënë edhe herë të tjera, kemi ekip shumë më cilësi. Lojtarët kërkojnë kohën e vet. Mendoj që shumë shpejt do të jemi aty ku e kemi vendin, në vend të parë.


Të mërkurën do të keni përballë Partizanin. Si e shikoni këtë sfidë?

Ndeshje të lehta nuk ka. Respekt për Partizanin, por frikë aspak sepse kemi ekipin më të mirë në Superiore. Do të jetë një sfidë e vështirë, por kemi shumë besim se do ta kalojmë me sukses.


Do të jetë fitorja objektivi i vetëm në këtë takim?

Në qoftë se do të duam të jemi pretendentë për titull, normalisht që vlen vetëm fitorja, por duhet kujdes shumë pasi një fragment bën diferencën.


Ku duhet të bëjë kujdes Vllaznia që të arrijë një fitore në këtë përballje?

Ne duhet të bëjmë lojën tonë siç e bëjmë gjithmonë. Kjo ka qenë një gjë e mirë që do të na çojë drejt suksesit.


Prisni një mbështetje nga ana e tifozërisë ditën e mërkurë?

Mendoj se kemi shumë nevojë për ta. Ne duam që t’i kemi gjithmonë afër. Ata janë një mbështetje e madhe për ne. Ne u premtojmë se do të bëjmë maksimumin që të mos i zhgënjejmë.