Arlind Ajeti mund të rikthehet në Serie A. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, pjesë e Cluj në Rumani, e nisi si titullar duelin e parë në Euro 2024 kundër Italisë në “Signal Iduna Park”.
Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes që u fitua 2-1 nga të kaltrit e Spallettit, menaxheri i Ajetit analizoi disa nga performancat e lojtarëve shqiptarë në takimin e luajtur në Dortmund.
“Bajrami shënoi një gol të bukur, ndërkohë që më pëlqeu shumë Broja. Gjithashtu Gjimshiti dhe Ajeti zhvilluan një punë të madhe në mbrojtje.
Ajeti? Ka edhe një vit kontratë me Cluj, por mund të rikthehet në Serie A. Ama, ne nuk duam të nxitohemi. Do të jemi të vëmendshëm ndaj gjithë merkatos që na rrethon.
Arlindi po rimerr gjithë vëmendjen në këtë Europian. Uroj që pas ndeshjes ndaj Italisë drejtorët sportivë të jenë bindur për cilësitë e tij”, theksoi Fabrizio Ferrari.
30-vjeçari shqiptar i lindur në Zvicër, zhvilloi takimin e 26-të me kombëtaren e Shqipërisë. Ajeti ka luajtur më parë në Itali me skuadra si Torino, Frosinone, Crotone, Reggiana dhe Padova.