Riza Durmishi ishte një nga goditjet e Igli Tares te Lazio gjatë merkatos së verës. I transferuar nga Betisi dhe pas një Botërori ku është paraqitur mjaft mirë, mbrojtësi me origjinë shqiptare, megjithatë, e ka parë fushën vetëm 60 minuta, në 19 ndeshje kampionat.
Motivi? Gjendja e tij shëndetësore. Futbollisti i lindir në Danimarkë, që u shit nga Betis për 6,5 mln euro, vendos të rrëfejë dramën e tij dhe një vit, ai 2018, që mbyllet më në fund.
“Bëra çmos që të isha në Botëror me Danimarkën. E dinë të gjithë, nga trajneri Hareide te stafi mjekësor dhe fizioterapistët. Bëja vetëm injeksione kundër dhimbjeve.
Mesin e kisha copë, por sërish shtrëngova dhëmbët. Madje, njëherë, kur ndodhesha përpara shtëpisë time, më ranë të fikët dhe rashë në tokë. Ishte im at aty dhe më ngriti sërish”.
“Viti 2018 ka qenë i bukur për arritjet me Betisin, por edhe Botërori e kalimi te Lazio, por kalvari i gjatë i dëmtimit ka bërë që ta kem kaluar shumë keq. E përjetova sikur nuk kisha fuqi. Ishte më i keqi i karrierës time.
Dëmtimet janë faji im, duhet të hiqja dorë dhe të mos bëja injeksione, sepse ashtu përkeqësova gjithçka. Uroj që tani të nisë një jetë e re për mua. Dikur më konsideronin mbrojtësin më të mirë të La Ligas, sot më kanë harruar, por do të kthehem”./telesport/