Më shumë jo se po. Por shanset që Armando Broja të kthehet me kombëtaren e Shqipërisë për dy sfidat e para në eliminatoret e “Botërorit 2025” kundër Anglisë dhe Andorrës janë rritur.
Të paktën pas përditësimit në lidhje me rikuperimin e tij, pas dëmtimit në kavilje. Duke qëndruar në atë që raportojnë mediat angleze, sulmuesi kuqezi ka “djegur kohët”, duke afruar riaftësimin e tij dhe do të nisë stërvitjen me top, që në javën e parë të marsit.
Një lajm i mirë si fillim për vetë Brojën, që do të ketë në dispozicion një kohë të mjaftueshme për të treguar kualitetin e tij, pas një aventure aspak të mirë deri tani te Everton, ku për shkak të dëmtimeve, më shumë ka qëndruar jashtë se në fushën e lojës.
Po ashtu, rikthimi i tij është në kohë për të shpresuar një ftesë nga Silvinjo për sfidat e marsit. Gjithsesi, gjithçka është në dorë të trajnerit kuqezi, I cili duhet të peshojë shumë detaje. Si fillim formën e Armando Brojës, por edhe rrezikun që paraqet një rikthim i shpejtë në fushë pas një dëmtimi të rëndë si ai i sulmuesit.
Të gjitha këto do të vlerësohen në javët në vijim, por e rëndësishme për futbollistin është të kthehet i fortë fizikisht, për të kthyer sërish në shina karrierën e tij./abcnews