Mungesa të shumta dhe presioni për të marrë me çdo kusht fitoren dhe kaluar në turin tjetër. Vllaznia ka një detyrë jo të lehtë sot në orën 14:00 në stadiumin “Loro Boriçi” kundër Flamurtarit, teksa i duhet të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë në Vlorë, ku humbi 2-1.

Pavarësisht se kuqezinjtë janë në një kategori më poshtë, kanë treguar e mund t’u bëjnë dëm shkodranëve dhe për këtë trajneri Mirel Josa ka paralajmëruar skuadrën që në takimin e parë, ku Vllaznia shënoi e para dhe më pas u përmbys.

Sot trajneri nuk do të ketë në dispozicion pesë titullarë për shkak dëmtimesh: Liridon Latifi, Lorik Boshnjaku, Esin Hakaj, Elvedin Heriç dhe Fjoart Jonuzi.

Madje këta lojtarë nuk do të jenë të gatshëm as për ndeshjen e së dielës në kampionat me Laçin.

Edhe pse kontingjenti i Vllaznisë është i kompletuar, përsëri për trajnerin dalin disa probleme të mëdha, pasi bëhet fjalë për lojtarë shumë të rëndësishëm që mungojnë dhe që i prishin jo pak planet për ndërtimin e formacionit.

Mesfusha duket e zbrazur dhe Josa pritet të lërë pushim edhe Rejan Alivodën ndaj Flamurtarit. I riu ka marrë shumë ngarkesë në ndeshjet e fundit në kampionat dhe aktualisht është i vetmi mesfushor shkatërrues në dispozicion, prandaj dhe mund të ruhet për të dielën.

Nga ana tjetër, edhe mbrojtësi i krahut, Geralb Smajli, i cili doli i dëmtuar nga takimi me Partizanin, me shumë mundësi nuk do të aktivizohet ndaj vlonjatëve. Mësohet se lojtari nuk ka një dëmtim serioz dhe mund të jetë i gatshëm kundër Laçit për kampionat.

TITULLARËT – Në ndeshjen e parë në Vlorë në portë luajti Qarri, por gjasat janë që sot ta nisë Zogoviç nga minuta e parë. Mbrojtja do të ndryshojë, pasi rikthehet titullar në qendër Shehi dhe në të majtë do të spostohet Bulatoviç.

Gurishta dhe Juriç plotësojnë këtë repart. Me skemën 4-2-3-1, Josa do të rreshtojë në mesfushë Arsid Krujën dhe Herald Markun.

Në pjesën ofensive rikthehet titullar shqiptari nga Mali i Zi, Kristjan Vulaj, i cili shënoi golin e vetëm të kuqebluve në Vlorë.

Kjo skemë i përshtatet fantazistit nga Tuzi dhe sot sytë janë nga ai për t’i dhënë një impuls më tepër sulmit.Në pozicionet e tjera do të jenë Esat Mala dhe Ardit Hoxhaj nga krahët, si dhe Kaina Nunjesh në qendër të sulmit.

Josa mund të aktivizojë edhe kroatin Ante Aralica si pykë, por për momentin braziliani Kaina duket më i avantazhuar.