Vllaznia aktualisht renditet në vendin e tetë të klasifikimit, çka do të thotë se nëse kampionati përfundon në këto momente, atëherë shkodranët rrezikojnë qëndrimin në elitë për shkak se iu duhet të luajnë në play off.
Kuqeblutë presin në Loro Boriçi këtë javë Partizanin. Megjithatë, nëse për një ekip tjetër të luajturit në fushën e tij do ta kishte një plus të madh, për kuqeblutë ndodh e kundërta.
Vllaznia ka grumbulluar në këtë edicion pas 25 javësh kampionat, më shumë pikë jashtë fushës teksa e fundit ishte barazimi i të mërkurës ndaj Kukësit në Elbasan.
Nga 32 pikë që shkodranët kanë në tabelën e renditjes, 17 prej tyre i kanë marrë në transfertë dhe 15 në shtëpi. Kështu, kuqeblutë kanë mundësinë të ndryshojnë trendin negativ në ndeshjet shtëpiake ndaj Partizanit, në mënyrë që të mos rrezikojnë të kthehen sërish në të Parën.
Ndërkohë, e rëndësishme për ekipin është edhe mbështetja e publikut, në mënyrë që të besuarit e trajnerit Mirsad Jonuz të kenë një “marsh” më shumë. /VipSport/