Migen Memelli, ish-trajneri i Vllaznisë, ka analizuar sot paraqitjen dhe fitoren e kuqebluve përballë Dinamos në kampionat. Tekniku i larguar nga drejtimi i shkodranëve vetëm pak javë më parë, shpjegoi se kjo fitore do ta ndihmonte skuadrën për shkak se i duhej medoemos vendi i katërt në renditje.
“Vllaznia ishte më konkrete, edhe pse shifrat janë në favor të Dinamos për raste të krijuara, 9 më 5. Ajo që e bëri më të thjeshtë ishte që rastet i shfrytëzoi, shënuan të tre sulmuesit, që e bën edhe më të rëndësishme si ndeshje jo vetëm se morën tre pikë por edhe për të rritur pjesën morale për vazhdimësinë e kampionatit.
Është një fushë, qytet e skuadër që nuk pajtohet asnjëherë me rezultatin kundër. Vllaznia i shfrytëzoi rastet më të miri, dy nga tre goditjet e këndit u kthyen në gol, çka e vështirëson pak edhe punën e trajnerit të Dinamos se në këtë kontekst duhej t’i kishte izoluar më mirë këto raste, një markim më të mirë. Janë gjëra që mund të ndodhin. Ajo që nuk arriti Dinamo sot të realizonte në një ndeshje ndaj Vllaznisë, përpos menaxhimit të rezultatit që ishte në avantazh, nuk menaxhoi as lojën krijuese sidomos në 30 metrat e fundit që nuk e pamë sot në Shkodër.
Vllaznia e ka detyrim vendin e katërt, për hir të emrit, asaj që ka dhënë, skuadrën e shpenzimet. Por pse duhet të quhet minikrizë te Vllaznia e jo të skuadrat e tjera?
Kur largon 12 lojtarë e afron 12 të tjerë, duhet kohë që një skuadër të prodhojë lojën”, tha ndër të tjera për “MCN” ish-trajneri i shkodranëve.