Që prej muajit Janar do të mund të shohim më shumë futbollistë të huaj gjatë ndeshjeve të Superligës. Edhe pse aktualisht numri është i konsiderueshëm janë skuadrat që kanë ushtruar presion në FSHF me kërkesat e tyre.

“Është një kërkesë e klubeve të Superiores pasi u bënë disa sezone që klubet si në Superiore dhe Kategorinë e Parë kanë kërkuar që të rritet numri i lojtarëve të huaj në fushën e lojës. Aktualisht kemi 175 lojtarë me kombësi të huaj që janë regjistruar për kampionatin 2024-2025”, tha Marjus Sulejmani, Shef i Sektorit te Garave në FSHF.

Por si pritet të ndikojë pjesëmarrja e më shumë të huajve? A do të bëhet prania e tyre pengesë për lojtarët e ekipeve të moshave të klubeve?

“I jep mundësi klube që të rishesin lojtarët dhe të kenë të ardhura. Do ndikojë pozitivisht që lojtarët shqiptarë të trajnohen më shumë që të jenë pjesë e ekipit të parë”, tha Sulejmani.

Vendimi i fundit i FSHF vjen pasi thuajse të gjitha vendet e rajonit e kanë hequr rregullin për lojtarët e huaj apo e kanë zbutur maksimalisht.