Kukësi pësoi një humbje minimale përballë Vllaznisë në shtëpi. Pas sfidës, trajneri i verilindorëve, Enkeleid Dobi, u shpreh shumë i irrituar për atë penallti të munguar në pjesën e parë.

“Nuk e kam bërë kurrë në jetën time viktimën. Jeta më ka mësuar aq shumë gjëra që po u bëre viktimë, viktimë do ngelesh. Të vijë arbitri dhe të thotë që ke të drejtë, ishte penallti, nuk di çfarë të them. Kemi tre javë radhazi që na thonë, keni të drejtë, por ne nuk kemi asgjë. Ju lutem nuk dua të bëj viktimën. Nuk e di për çfarë është VAR-i.

Pinë kapuçino ata atje? Hanë bukë, a çfarë? Është gjynah për ata lojtarë që lënë gjithë atë shëndet. Këto veprime nuk i kuptoj. Të vijë arbitri kryesor të thotë kishe të drejtë dhe të thotë nuk ma dha VAR-i. A je kryesor? Shko shikoje vetë në VAR. Nuk po e bëj viktimën, por është ndeshja e tretë radhazi. Ishte 0-0 ndeshja.

Nëse kjo nuk është penallti, unë lë futbollin dhe shkoj bëj pica. Nuk e di kush ishte aty te VAR-i? Ishte ndonjë picaiol? Ai e ka tërhequr, nuk di çfarë të them. Çfarë të bëj ai, të shkoj në spital? Kjo gjë nuk ka interpretim. Nuk e shikoj dot këtë se më dhëmbin sytë.

Pjesën e dytë që nuk patëm atë, të paktën krijuam tre raste goli. Ka të drejtë Ledio (Pano) që thotë që ishin të paqartë, por duhet t’i japim merita dhe ekipit kundërshtarë. Këto janë detajet e vogla që ndryshojnë ndeshjen. Nuk ishte ai Kukës, ose ai mendim, por duhet të mendojmë që ishte ndeshja e tretë radhazi, që nga detajet ne jemi të ngurtë, nga ana psikologjike.

Kur je i ngurtë, këmbët nuk funksionojnë. Ai i VAR-it mund ta shikojë shumë herë. Ndaloje lojën, nuk ka pse ta lërë avantazh. Mua më vjen vetë arbitri dhe tha ka të drejtë. Ne nuk na mundi Vllaznia 4-0, por ishte 0-0 ndeshja dhe ndryshuan shumë gjëra. Nuk po luajmë në Kategorinë e pestë me gjithë respektin. Arbitri ka një rregullore.

Atëherë pse nuk jepet? Kjo është pyetje. Ky detaj mund të ndryshonte shumë gjëra. Mund të humbnim 4-1, por mund të fitonim dhe 4-1. Dhe në ndeshjet që kemi fituar ka pasur, por nuk kam falur. Nuk është haku im, por është i atyre çunave, i atij qyteti, i atij populli. Dhe me celularë ta hapësh e shikon që është penallti”, u shpreh Dobi për “Oversport”.