Partizani-Vllaznia është ndeshja kryesore e javës së 34-t të Superiores.
Të kuqtë duhet të reagojnë patjetër në fushën e tyre, sepse duhet të sigurojnë një vend për në Kupat e Europës, ndërsa Vllaznia do të vijë në kryeqytet minimalisht për të shmangur humbjen, që do t’ia bënte thuajse të pamundur qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.
Për këtë ndeshje, trajneri Dalipi nuk ka të gatshëm kapitenin Batha dhe mbrojtësin kotobelli, të dy të skualifikuar, ndërkohë që kthehet Ibrahimi, i cili mungoi në Gjirokastër për shkak kartonësh.
Në të majtë të mbrojtjes pritet të luajë Trashi, ndërsa në qendër të mesfushës mbetet për t’u parë zgjedhja e Dalipit për zëvendësuesin e kapitenit Batha.
Të dielën pritet që Partizani të kthehet te fitorja, që do ta sillte më shumë qetësi për objektivin sezonal.
Duhet reagim me çdo kusht, sepse më pas Partizanin e presin transferta me Flamurtarin, por edhe ndeshja me Kamzën, që luan për mbijetesë në Superiore. / Vipsport/