Në Lojërat Mesdhetare që u zhvilluan në Tarragona të Spanjës, boksieri vlonjat Krenar Zeneli ka marrë medaljen e argjendtë, duke qenë i dyti sportist që i jepte vendit tonë medalje pas Luiza Gegës.
Njëkohësisht vendi i dytë i tij në këtë aktivitet të rëndësishëm është rezultati më i lartë në gjithë historinë e boksit shqiptar. Por kjo arritje nuk ka shërbyer për asgjë.
Mbrëmjen e sotme, kombëtarja shqiptare e boksit ka mbërritur në Rinas por ajo që kanë gjetur i ka çuditur si trajnerët ashtu edhe vetë sportistët dhe veçanërisht Zenelin.
Themi kështu se me përjashtim të disa familjarëve të tij që kishin ardhur nga Vlora dhe disa të tjerë nga Shkodra, askush tjetër nuk kishte dalë për ta pritur atë.
Asnjë drejtues i Federatës Shqiptare të Boksit ndonëse siç thamë, ky ishte rezultati më i lartë në historinë e këtij sporti. Asnjë përfaqësues i Ministrisë së Sportit, a thu se Shqipëria ka marrë me dhjetra medalje në këto Lojëra dhe nuk mund të dilnin për t’i pritur.
Çuditë vazhdojnë edhe më tej sepse asnjë media nuk ka qenë në Rinas me përjashtim të TV Rozafës që përmes pamjeve të xhiruara nga kameramani Kristian Troshani do të përcjellë emocionet e para të protagonistëve të këtij suksesi historik për boksin shqiptar.
Me siguri që drejtuesit e sportit dhe mediat kanë qenë të angazhuar me Botërorin e futbollit apo me ndonjë gjë tjetër edhe më të rëndësishme dhe prandaj “e kanë harruar” Krenar Zenelin.
Gjithsesi, ai e bëri të vetën. I dha Shqipërisë një medalje të argjendtë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”.
www.shkodrasport.com