Vllaznia fitoi respekt në barazimin 1-1 ndaj Craiovas. Rumunët nisën ta nënvlerësonin jo pak ekipin shqiptar me deklaratat e tyre, kryesisht të presidentit të klubit. Megjithatë shkodranët lanë gjithçka të hapur sa i përket kualifikimit në ndeshjen e kthimit.
Ndërkohë media rumune, “Fanatik”, tregon përshtypjen e lënë nga Shkodra. “Tifozët bënin presion të vazhdueshëm”, thuhet në këtë media, shtuar këtu deklaratës së trajnerit të Craiovas, Balint. “Jam ndierë shumë mirë që luajta në një stadium të tillë, dua të komplimentoj tifozët për atmosferën”.
Pavarësisht numrit të të pranishmëve në Loro Borici, përshtypje ka lënë edhe zgjidhja e disa tifozëve që përfituan nga banesa e afërt me stadiumin:
“Edhe pa mundësinë e blerjes së biletës, disa tifozë shqiptarë gjenin zgjidhje. Shumë prej tyre e ndoqën ndeshjen me Craiovan nga catitë e shtëpive nga godinat afër stadiumit”, shkruhet në Fanatik. /Sport Ekspres/