Brenda pak javësh, Mino Raiola mund të bëjë një kthesë të bujshme në merkaton e Milanit.
Është “Sportmediaset”, që shkruan se tek kuqezinjtë mund të vijnë Zlatan Ibrahimoviç si dhe Moise Ken, ndërsa Xhixho Donaruma mund të kalojë tek Juventusi sezonin tjetër. Një operacion tresh, që prapa kuintave ka sigurisht Raiolën.
IBRA – Tashmë nuk është sekret se për Ibrën ka negociata. Milani ofron 2 milionë për gjysmën e këtij sezoni, dhe 4 milionë euro të tjera për sezonin tjetër. Shifra të ulëta këto për suedezin, por duhet parë edhe mosha e tij, 38 vjeç.
Projekti i Maldinit dhe Bobanit është i qartë, të inkorporojnë Ibrën në fund të dhjetorit në Milanelo, dhe në janar të jetë gati për Piolin. Lëvizja varet edhe nga suedezi, emri i të cilit lidhet edhe me Totenhemin.
Një telefonatë nga Murinjo mund të ndryshonte shumë gjëra. Këtu do të duket edhe ndikimi i agjentit Raiola, që mund ta bindë Ibrën t’i thotë “po” një oferte të Milanit.
KEN PËR PIONTEK – Media italiane shkruan gjithashtu se veç Ibrës, në Itali tek “Djalli” mund të vijë edhe ish-juventini Moise Ken.
Për sulmuesin është programuar një shkëmbim me Kristof Piontek, i cili mund ta shfrytëzojë këtë periudhë për të dalë nga situata jo e mirë ku gjendet. Gjithsesi, për momentin Raiola po punon edhe për rinovimin e Bonaventurës tek Milani në të njëjtën kohë.
DONARUMA TE JUVJA – Dy muajt e ardhshëm do të jenë decizivë edhe për të ardhmen e Xhixho Donarumës. Kontrata prej 6 milionë eurosh që fiton te Milani zgjat deri në vitin 2021, dhe koha e përfundimit po afron shumë shpejt.
Raiola për momentin kërkon një rrogë 8-9 milionë euro për portierin, dhe Juvja duket se do e pranojë. Milani nga ana tjetër do detyrohet të pranojë një shifër shitje për 40-45 milionë euro, ndërkohë që lëvizja parashikohet për në verën e vitit 2020. Të gjitha këto lëvizje mbeten në hipotezë, por gjithsesi diçka po lëviz në prapaskena.