Ditën e djeshme, Vllaznia e vajzave ka njohur edhe kundërshtarët në grupet e Champions League. Në lidhje me këtë dhe suksesin e ekipit shkodran, në emisionin “Proçesi Sportiv” në Top Channel, ka qenë e ftuar edhe futbollistja e njohur e Vllaznisë, Megi Doçi.

Sulmuesja u shpreh se ndeshjet që do të luajnë ata, do të jenë për t’u shijuar në maksimum, pasi është një gjë e bukur dhe historike, ndërsa theksoi se beson shumë se ndeshjet në stadiumin “Loro Boriçi” do të jenë madhështore, së bashku edhe me mbështetjen e tifozërisë së Vllaznisë.

“Për ne, shorti me ata ekipe që na ranë, është histori dhe emocione pafund, është diçka për t’u shijuar. Vetëm kur shikon Çelsin, PSG dhe Real Madrid dhe kur e mendon se do të shkosh në ato stadiume, është bukuria më e bukur që mund të ndodhë.

Do luajë Vllaznia në Air Albania? Nuk besoj se do luajë Vllaznia në “Air Albania”, sepse ne luajmë në Shkodër. Kështu që, do kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë. Në fakt, do jetë diçka madhështore. Do jetë një festë për qytetin e Shkodrës, si nga Bashkia që do të ketë një investim dhe një përqëndrim shumë të madh, sepse është vështirë të presësh këto ekipe, sidomos në Shqipëri, sepse janë ekipe me investime shumë të mëdhaja.

Vetëm dy futbolliste që ka Çelsi p.sh, Kerr dhe Harder, u vlen 350-mijë euro dhe 400-mijë euro kartoni. Mendoj se janë ekipe shumë të mëdha, por ju garantoj që Vllaznia nuk do shkojë vetëm për qejf në atë grup. Vllaznia do japin maksimumin dhe ju garantoj dhe besoj se do të dalim të kënaqur.

Në fakt, ekipi ka 13-vite që është krijuar dhe të arrish në këto nivele për 13-vite, besoj se është një përkushtim shumë i madh, duke filluar që nga vajzat e ekipit, stafi teknik, si edhe stafi drejtues, me në krye presidentin Matija, që besoj se edhe në Superioren e djemve, nuk ka një president si ai që di ta motivojë ekipin dhe di ta dërgojë drejt suksesit. Kështu që, për 13-vite është shumë e vështirë kjo gjë, shumë sakrificë, shumë punë, djersë, muaj larg familjes edhe shumë përkushtim nga shoqet e ekipit.

Në cilën skuadër të huaj do kishte dëshirë të luajë Megi Doçi nëse vjen një ofertë? Sigurisht, dëshira është shumë e madhe, sepse është punuar shumë dhe është pasion që është zhvilluar për shumë kohë. Njeriu jeton me ëndrra në fakt dhe kështu që, besoj se do luaja për Bayern Mynih dhe Real Madrid. Juventus ishte shumë e interesuar për mua para një viti për të kaluar në Seria A”,-mbylli prononcimin e saj, futbollistja e Vllaznisë, Megi Doçi.
Maringlen ZHIVANI