Vllaznia në futboll për femra arriti të shënojë golin e parë në grupet e Champions League mbrëmjen e djeshme. Sigurisht, kush tjetër përveç se Megi Doçit mund të realizonte…
Sulmuesja kuqeblu arriti të shënonte nga goditja e dënimit, në minutën e pestë në transfertën ndaj Realit të Madridit dhe festoi si Kristiano Ronaldo.
Në konferencën për shtyp pas kësaj ndeshjeje, golashënuesja më e mirë në botë mendon se Vllaznia ka marrë një përvojë pozitive në ballafaqimin me emrat e mëdhenj që ka në grup, e cila do t’i shërbejë për një pjesëmarrje më dinjitoze sezonin e ardhshëm në UEFA Women Champions League.
Doçi u shpreh se është emocion i madh t’i shënosh Real Madridit, teksa theksoi se një gjë të tillë e kishte pritur prej shumë kohësh, pasi e kishte deklaruar edhe vetë më parë në konferencat për shtyp.
Goli ndaj Realit – Ishte një gol shumë emocionues, një gol që e kam pritur shumë gjatë këtyre ndeshjeve në Champions League. Sigurisht që, ishte emocion i madh edhe festimi sikur i idhullit tim, Kristiano Ronaldo. Kështu që, mendoj se pavarësisht rezultatit, ekipi bëri një paraqitje mjaft të mirë. Unë mendoj se ekipi dha më të mirën dhe shpresoj që në vazhdimësi, besoj edhe me prurje të mira vitin tjetër, besoj që do bëjmë paraqitje edhe më të mira dhe pse jo për të shënuar edhe më tepër në këto grupe.
Dedikimi i golit – Në fakt, golin as që e kam menduar, edhe pse kam thënë që në fillim se do të shënoj kundër Real Madrid dhe siç duket, u realizua ëndrra dhe është emocion i madh. Sigurisht, këtë gol ia dedikoj shoqeve të ekipit për gjithë mundin që kanë bërë këto kohë, për gjithë djersën që kemi derdhur në stërvitje, stafit me në krye presidentin Lazër Matija, sepse është ai personi që më mbështeti kur unë nuk isha askush dhe familjes time.
Vllaznia në grupet e Champions League – Duhet ta pranojmë se pavarësisht asaj që dhamë në fushë, kishim përballë një ekip të madh, sikur edhe në ndeshjet e tjera. Unë mendoj se Reali është një ekip i mirë që po rritet vit pas viti dhe besoj që shumë shpejt, ato do të jenë edhe pretendenti kryesor për të fituar Champions League. Unë mendoj se ekipi jonë ka futbolliste të reja brenda dhe shpresoj që në vazhdimësi, duke u rritur edhe ata me paraqitjet e tyre, si me Vllazninë, ashtu edhe me Kombëtaren, mendoj që do të ecim edhe më lart.
Suksesi historik – Unë besoj që të arrish për 13-vite në këto nivele, mendoj se duhet shumë punë, shumë sakrificë, shumë mbështetje dhe financa të mëdha. Kjo është sigurisht falë punës së shoqeve të ekipit, por falë vetëm një personi siç është presidenti Lazër Matija, sepse është i vetmi person që na ka mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe.
E ardhmja – Të them të drejtën, unë luaj me dëshirë dhe me emocion për fanellën e Vllaznisë. Kam 12-vite që e vesh këtë fanellë dhe për mua, ka qenë shumë emocion që kam luajtur në Shkodër. Nuk kam asgjë konkrete, por e rëndësishme është që unë jam te Vllaznia.
E kaluara e Megi Doçit – Në fakt, kur e mendoj se ku isha para 13-viteve dhe ku jam sot, është një ndryshim shumë i madh dhe një sadisfaksion shumë i madh, sepse duke pasur parasysh vështirësitë, sakrificat që kemi bërë për të arritur në këto nivele, më besoni që është shumë e vështirë. Eshtë emocionuese kur shënon gola, sidomos për një sulmuese, por sigurisht kur shënon një gol në Champions League, më besoni se me të vërtetë qenka emocion shumë i madh.
Ndjesitë e golit – Eshtë një ëndërr e realizuar dhe një histori për mua. Besoj se të gjithë ndihen krenar për këtë gol dhe sidomos unë. Eshtë krenari shumë e madhe dhe është një motiv për të gjitha vajzat e reja që pavarësisht gjithë vështirësive që ato kanë, t’i kapërcejnë ato pengesa dhe të luftojnë për ëndrrën e tyre, sepse më besoni që me përkushtim, realizohet gjithçka.
Vllaznia në të ardhmen – Besoj që ekipi ka bërë një punë mjaft të mirë, duke pasur parasysh edhe mbështetjen financiare që kemi, sepse më besoni që pa sponsorë, është e vështirë që të vish të ndeshesh me ekipe të mëdha, siç janë PSG, Çelsi apo Reali i Madridit, që kanë mbi 15-milionë euro buxhet. Kështu që, është shumë e vështirë, sepse nuk mund të luash në këto nivele, nëse ti nuk ke produkt cilësor brenda në ekip. Mund të prodhosh në vendin tënd shumë futbolliste cilësore, por duhen disa lojtare të tjera cilësore për t’i blerë dhe për të luajtur në këto nivele, sepse janë ekipe me cilësi brenda.
Parashikimi se do i shënonte Realit – Gjithmonë e kam ndjerë që do të shënoj kundër Realit. Eshtë një ëndërr e realizuar dhe një emocion. Kështu që, besoj se do të përmendet gjatë, sepse është diçka historike, pasi është goli i parë në Champions League. Shpresoj që të shënoj edhe në vazhdimësi dhe të shënoj edhe më tepër.
Maringlen ZHIVANI