Në ndeshjen e së dielës që Vllaznia zhvilloi kundër Maliqit, mesfushorja me tipare ofensive Megi Doçi, realizoi të 10 golat e triumfit për skuadrën e saj (fitoi Vllaznia 10-0), duke regjistruar rekorde të reja në karrierën e saj. Kjo sportiste është një fenomen i futbollit të femrave në Shqipëri dhe me siguri që në fund të edicionit mund të kalojë në radhët e një klubi të huaj.

Ka kualitet të spikatur dhe një forcë të pazakontë, që është në gjendje të luajë edhe me ekipin e meshkujve. Mbi të gjitha futbollistja e Vllaznisë ka potencial të mrekullueshëm teknik, gjë që i jep asaj përparësi të pabesueshme në fushën e lojës. Kushdo që ka parë ndeshjet e futbollit të femrave, dhe sidomos specialistët, e ka kuptuar se Megi Doçi, e zgjedhur si futbollistja më e mirë në kategorinë e futbollit të femrave për vitin 2018, ka një talent të lindur.

Dhe suksesin padyshim që ia jep edhe puna e madhe që ajo bën në stërvitje. Një tjetër tregues që e bën atë të pakrahasueshme në futbollin e femrave në Shqipëri është numri i konsiderueshëm i golave. Në 12 ndeshje të luajtura deri tani, ajo ka realizuar 49 gola, që do të thotë se ka një mesatare mbi 4 gola për ndeshje, shifër e frikshme dhe që e radhit atë krahas lojtareve më të spikatura në botë si golashënuese.

Natyrisht, deri në fund të sezonit të tjera surpriza të reja dhe rekorde të reja priten nga futbollistja Megi Doçi. Ndërkohë, në kampionatin e femrave në futboll, vendin e parë në renditje de pas javës së 12-të e mban Vllaznia me 36 fitore, pra me pikë të plota, ndjekur nga Tirana dhe Kinostudio me nga 30 pikë secila.

Më pas renditja vijon me Apoloninë (27 pikë), Juban Danjën (22 pikë), FC Termin (19 pikë), Teutën (15 pikë), Dajtin (15 pikë), Akademinë AAS (9 pikë), Pogradecin (3 pikë), Maliqin (3 pikë) dhe në fund Bilishtin, me 3 pikë./albaniansport/