Sulmuesja e Vllaznisë, Megi Doçi është shpallur mbrëmë “Sportistja më e mirë e vitit 2022” nga Agjensia e Spektakleve Buna 1, në mbrëmjen “gala” të organizuar me rastin e festave të fundvitit.
Megi Doçi arriti të marrë këtë vlerësim falë 50.8% të votave të publikut. Ndërkohë, në vendin e dytë u rendit tenistja Gresi Bajri, me 25.8% të votave, ndërsa në vendin e tretë pozicionohej mbrojtësi i Vllaznisë, Esin Hakaj, me 23.4% të votave të marra nga publiku.
Realisht, sulmuesja e Vllaznisë dhe e Kombëtares së Shqipërisë po lë pas një vit të shkëlqyer, ku ka spikatur me paraqitjet e saj dhe jo më kot, ka ardhur edhe ky çmim. Në fakt, ky vit përkoi edhe me pjesëmarrjen e Vllaznisë për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Women Champions League, ç’ka e ka bërë edhe më të bukur dhe interesant këtë çmim për sulmuesen e ekipit kuqeblu në aspektin personal.
Kujtojmë se, Megi Doçi është njëkohësisht edhe golashënuesja më e mirë në historinë e futbollit të femrave në Shqipëri, teksa deri më tani e ka kaluar shifrën e 600-golave vetëm në kampionatin shqiptar. Këto shifra flasin vetë për talentin që zotëron kjo sportiste, e cila me të drejtë u shpall edhe “Sportistja më e mirë e vitit”.
Maringlen ZHIVANI