Nëse në miqësoren e parë Shqipëria e femrave u mund 0-2 nga Sllovenia në ndeshjen e luajtur në Elbasan, krejt ndryshe ka ndodhur në miqësoren e dytë. Atë të luajtur sot në “Selman Stërmasi” ku vajzat kuqeblu të drejtuar nga trajneri shkodran Armir Grima, kanë arritur të fitojnë me rezultatin 1-0. Autorja e golit të fitores ka qenë pikërisht golashënuesja më e mirë e kampionatit shqiptar, futbollistja e Vllaznisë Megi Doçi.

Ajo ka shndërruar në gol një 11-metërsh të akorduar nga ana e arbitrit të ndeshjes. Nëse në ndeshjen e parë, kapitenia Rrahmani e pat humbur 11-metërshin e akorduar, këtë herë stafi teknik ka vendosur t’ia besojë gjuajtjen e saj Doçit që nuk ka zhgënjyer duke shënuar dhe duke i dhënë fitoren Shqipërisë. Natyrisht që stafi teknik kishte bërë ndryshimet e duhura në skuadër,në krahasim me ndeshjen e para tre ditëve, kryesisht në mënyrën e të luajturit. Këto dy miqësore natyrisht që i kanë shërbyer trajnerit Grima për të testuar ekipin në prag të nisjes së ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Europian që do të nisin në muajin shtator.