Vllaznia e femrave është vetëm një ndeshje larg një arritje historike, siç janë grupet e Ligës së Kampioneve. Shkodranet barazuan 1-1 në ndeshjen e parë ndaj ukrainaseve të Vorskla në “play off” dhe në sfidën e kthimit do të kërkohet me çdo kusht fitorja, për tu kualifikuar në grupe.
Për këtë, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka folur futbollistja e shkodraneve, Megi Doçi. Ajo deklaroi se ky është viti i duhur për të kapur grupet e Champions League, duke përmendur këtu grupin e lojtareve shumë të mirë.
Më tej ajo foli edhe për kampionatin, ku tha se do të kërkohet me çdo kusht titulli kampion i 10-të, për të vendosur yllin në fanellë.
Mendoj se këtu ka të bëjë puna e të gjithë viteve. Ka vite që punohet për këtë. Kemi 3-4 vite që tentojmë grupet e Chamnpions League, por ky mendoj se është viti i duhur, duke parë edhe grupin e shkëlqyer që kemi në skuadër.
Presidenti ka meritën e madhe, por pa harruar këtu edhe trajnerët dhe stafin. Është një punë që bëhet gjithë vitin. Ka përkushtim të madh. Mendoj se ka ardhur momenti që të shijohet momenti.
Të them të drejtën, unë them se duhet shumë punë, për krijimin e shumë ekipeve, për të rritur cilësinë e ekipit. Të gjitha ekipet të marrin si shembull Vllazninë. Nëse rritet cilësia në kampionatin shqiptar, rritet edhe cilësia në Kombëtare. Në ekip kemi shumë prurje nga jashtë dhe kemi punuar shumë, këto 2-3 muaj në fazë përgatitore. Ndeshja është e hapur dhe objektivi është kualifikimi. Kundërshtari ka 7-8 lojtare nga kombëtarja e Ukrainës dhe nuk është e lehtë për tu kaluar. Do shikojmë pikat e dobëta dhe ku të sulmojmë.
Juventusi tani ka dalë në Champions League, nuk është si ekipi ukrainas. Këta të fundit kanë shkuar 3-4 herë në grupe. Kanë shumë cilësi brenda, por mendoj se vajzat duke e vlerësuar ndeshjen dhe lojën, mund t’ia dalin. Mbështetja e tifozëve na bën që të japim maksimumin.
Çdo kupë do vijë në Shkodër. Këtë vit kemi të dhjetin radhazi dhe do të kërkojmë me çdo kusht të vendosim yllin në fanellë. Trajneri i Kombëtares, është treguar shumë i drejtë në përzgjedhjen e lojtareve. Janë zgjedhur më të mirat. Është kënaqësi të shënosh në “Loro Boriçi” përballë atyre tifozëve.