Me 84 gola të shënuar vitin e kaluar u shpall shënuesja më e mirë në Botë për vitin 2018, por sulmuesja e Vllaznisë Megi Doçi ka bindjen se edhe për vitin 2019 mund t’ia dalë të përsërisë të njëjtin sukses. Ajo vazhdon të shënojë dhe kjo gjë mund të jetë plotësisht e arritshme.

“Unë po mundohem të shënoj çdo ndeshje dhe sigurisht që mund të jetë edhe një objektiv thyerja e rekordit të golave të vitit të kaluar. Kjo vjen prej punës së vazhdueshme që bëj unë por edhe i gjithë ekipi. Unë jam e gatshme të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe duke vazhduar kështu, mund t’ia dalim”- është shprehur ajo.

Ndërkohë në ndeshjen e fundit, atë ndaj Tirana AS- rivales kryesore të Vllaznisë që u fitua nga kjo e fundit me rezultatin e thellë 8-0, Megi Doçi ka shënuar plot 5 gola. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, ajo shprehet:

“Për këtë rezultat të thellë ndaj rivales tonë kryesore është bërë një punë e gjatë, por kuptohet që ne nuk jemi të fokusuar për një ndeshje të vetme por për të gjitha sepse vlerësimi është maksimal. Bëmë një lojë të mirë si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën, duke shënuar shumë gola dhe duke e fituar pastër ndeshjen.

Mendoj se jemi në rrugën e duhur për titullin kampion sepse jemi gjashtë pikë para vendit të dytë por duhet të vazhdojmë kështu, t’i marrim ndeshjet një e nga një deri në fund derisa të arrijmë objektivin që kemi”.
© shkodrasport.com