Vllaznia e femrave po vijon stërvitjet për sfidën e rradhës. Këtë javë përballë do të jetë ekipi i Tiranës, ndeshje që do të zhvillohet në kryeqytet. Sulmuesja Megi Doçi, e cila mbetet golashënuesja më e mirë e kampionatit shqiptar, beson tek një tjetër trepikësh. Gjendja e ekipit është e mirë dhe edhe ajo vetë premton të tjerë gola dhe spektakël në fushë, raporton shkodrasport.com
“Do mundohem që gjithmonë të bëj dhe të realizoj gjëra të bukura në fushën e lojës. E rëndësishme është që ekipi po bën një punë mjaft të mirë. Në çdo ndeshje po merr tre pikë. Këtë javë kemi një ndeshje të rëndësishme, siç është ndeshja me Tiranën. E rëndësishme është që ekipi po përgatitet me vlerësimin e duhur për të marrë tre pikët edhe atje.
Ndeshja pritet të jetë e rivalizuar, por që do bëjmë maksimumin, do japim më të mirën tonë për të marrë tre pikët, sepse ekipi patjetër që punon mjaft mirë dhe duke pasur parasysh, edhe futbollistet që ka marrë ekipi i Tiranës, besoj që ekipi po i jep vlerësimin e duhur për të marrë pikët.
Goli ndaj Laçit? Patjetër që, ishte një kënaqësi e madhe, pasi ishte një gol shumë i veçantë. Unë nuk shënoj gola që nuk janë të veçantë, por që ai do mbahet mend gjatë.
Kam patur shumë komente pozitive, pasi video është bërë shumë virale, si në TikTok dhe po ashtu, edhe në media. Besoj se është një gol që e meriton të ketë vlerësim edhe nga UEFA”,-tha sulmuesja e Vllaznisë, Megi Doçi./SHKODRA-SPORT.COM/