Si çdo shkodran, që në momentin e parë kur ka nisur të merret me futboll, ëndrrën e madhe ka patur veshjen një ditë të fanellës së Vllaznisë. Mehdi Çobës iu bë realitet në moshën 20 vjeçare dhe ai është ndjerë vërtetë mirë për këtë gjë.

Pasditen e djeshme, pikërisht në minutën e 55-të të miqësores ndaj Erzenit, trajneri Brdariç ka vendosur të hedhë në fushë disa futbollistë të tjerë dhe njëri ndër ta ka qenë edhe sulmuesi Çoba.

Në ato minuta që ka luajtur, sulmuesi që është rritur tek Akademia “AAS” në Shkodër dhe q sezonin e fundit ka luajtur në Azerbajxhan, është munduar të bëjë më të mirën me fanellën kuqeblu, por kuptohet që emocionet kanë bërë të vetën dhe në raste të veçanta, këmbët nuk i përgjigjeshin asaj se çfarë kishte ndër mend të bënte.

Megjithatë, Çoba pritet të jetë një element i perspektivës tek i cili stafi teknik ka shumë besim dhe për këtë arsye, nga dita në ditë ai do të japë më të mirën e tij për Vllazninë, skuadrën me të cilën është rritur duke bërë tifozllëk ndërsa tani e tutje do t’i duhet ta justifikojë veshjen e fanellës së saj.
www.shkodrasport.com