Gjergj KOLA
Mehdi Qerimaj: Për pak na la zemra duke parë Erkandin
Triumfi I Erkand Qerimajt në kampionatin Europian që po zhvillohet në Turqi teksa ai ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion Europe në peshën 77 kg, është pritur me shumë emocione në Shkodër. Më së shumti tek familjarët e tij. Babai I tij- Mehdia duke rrëfyer emocionet që ka përjetuar, njëkohësisht I lutet Zotit që e ka ruajtur nga ndonjë infrakt në ato momente të garës së Erkandit dhe njëkohësisht deklaron se ashtu si gjithë shqiptarët është krenar për djalin e tij. “Ka qenë një gëzim i papërshkrueshëm momenti i garës. Ankth, tension dhe në fund gëzim. Për fat të mirë nuk pësuam ndonjë dramë sepse si unë ashtu edhe gruaja kemi qenë me ilaçet e zemrës në dorë, gati për ndonjë të papritur sepse çfarëdo mund të ndodhte, pse jo edhe ndonjë infrakt në ato momente. Për fat, asgjë e keqe. Gëzuam dhe festuam suksesin e djalit tonë. Sigurisht që ndihem krenar për suksesin e djalit tim ashtu siç besoj ndihen të gjithë shqiptarët”- ka thënë ai. Nga ana tjetër, me lot në sy e ka shijuar suksesin e Qerimajt edhe një nga trajnerët që ka punuar me të, pikërisht trajneri i Vllaznisë Muhamet Tuzi që për gazetën tonë do shprehej: “Kam përjetuar momente të shkëlqyera. Erkandi ka zhvilluar garën më të mirë të tij. na ka nderuar të gjithëve ne, Shkodrën dhe Shqipërinë sepse është kampioni i parë i Europës në peshëngritje. Kuptohet që po të shohësh kushtet ku ai stërvitet, do çuditesh megjithatë ai sërish ia ka dalë dhe kjo e dyfishon suksesin e tij. Me kushte më të mira, mendoj se ky sportist i rrallë ka për të arritur rezultate edhe më të larta”.