Përveç Superligës, edhe kampionati i kategorisë së parë ka hyrë në ethet e javëve të fundit të tij.

“Vllaznia B” ndodhet në pozita jokomode për momentin megjithatë shpresat janë për mbijetesë.

Zëvendëstrajneri por njëkohësisht edhe futbollisti i këtij ekipi Admir Mehja, në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet i bindur se objektivi do të arrihet.

“Ne kemi sërish probleme sepse ndeshja e të dy ekipeve të Vllaznisë është në të njëjtën ditë dhe prandaj disa nga lojtarët titullarë të ekipit tonë që stërviten me të parin, nuk do t’i kemi sërish në dispozicion.

Megjithatë jemi të vendosur për të fituar me çdo kusht ndaj Korabit. Unë e premtoj këtë gjë. Djemtë janë të vendosur për të sakrifikuar dhe për të luajtur fort sepse nuk kemi kohë për të humbur.

Padyshim që do t’i fitojmë dy ndeshjet që kemi në fushën tonë dhe pastaj do të shohim edhe për të marrë ndonjë pikë në dy ndeshjet e tjera që kemi jashtë.

E rëndësishme është që të arrijmë objektivin për të qëndruar në kategorinë e parë”- ka thënë Mehja.
© shkodrasport.com