Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti foli për MCN TV pas përfundimit të ndeshjes me Teutën. Blutë humbën dhe mbeten jashtë Final Four. Për Mehmetin është zhgënjim, pasi Dinamo meriton të jetë gjithnjë në Europë apo për titull.

“Për vitet që Dinamo ka vuajtur, këto 3 të fundit erdhi në Superiore, ra përsëri dhe u ngjit. Është në tranzicion. Nuk është arritje të rrish në Superligë për klubin e dytë më të titulluar. Duhet Europa, minimalisht. Unë erdha për të bërë detyrën. E mora në vendin e fundit, presidenti ka marrë vetëm stemën e klubit. Ka investuar duke bërë maksimumin, tani kemi edhe një shtëpi.

Më vjen keq pasi duhet të ishim të kujdesshëm sidomos në janar. Gabimet janë që në ndërtimin e skaudrës, duhen lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur në këto nivele. Tensioni dhe presioni o të bën hapin e madh ose të zbret poshtë. Kemi marrë edhe gola shumë naiv që tregon se lojtarët nuk e përballojnë dot këtë lloj stresi.

Merkato e janarit? Nuk duhet menduar fare janari kur ndërton skuadrën. Duhet bërë që në gusht. Janari s’ka alternativa. Unë kam afruar vetëm Qefaliajn. Kam kërkuar 2-3 pozicione, por nuk erdhën.

E ardhmja? Do flas me presidentin, ai është i pari dhe i takon vendimi.

Pishman shumë pasi ishim afër Final Four. Duhet të ishim aty, na penalizuan faktorët që rendita më parë. Mua nuk më gëzon fakti që Dinamo është në Superiore pasi është detyrim. Kur sheh që skuadra prodhon, por ka ngërç psikologjik dhe nuk e përballon dot, është mrekulli nëse arrinim në Final Four. Duhet të nxjerrim mësime nga këto gabime për mënyrën sesi ndërtohet skuadra. Dinamo e meriton titullin kampion, minimalisht të jetë në Europë.

Nga momenti që do të diskutoj me presidentin, do të flasim për lojtarët që e meritojnë bluzen e Dinamos. Duhet të ndërhyjmë aty ku kemi nevojë pasi një skuadër ndërtohet me baza të thella.

Skënderbeu dhe Teuta me lojtarë pa eksperiencë në Final Four? Janë më meritë aty, Skënderbeu ka grupin e njëjtë që pati në Kategorinë e Parë. Diferencat e buxhetit, edhe PSG ka goxha investim edhe nuk fiton Champions, duhet ditur si të ndërtohet skuadra. Merkato e janarit nuk ka vlerë, skuadra ndërtohet në gusht, ndërtohet që sot që ka mbaruar kampionati.

Di Biagio erdhi me 28 korrik, ka parë ndeshjen time në Korçë. Ka patur shumë ndryshime në drejtim Dinamo. Kur fillova unë nuk ishte e qartë ç’do të bëja. Nuk kam marrë pjesë fare te ndërtimi i skuadrës. Po t’i marim lojtarët e mi, janë djem të rinj. Nga mesfusha, nga anësorët dhe është skuadër e re”, tha Mehmeti.