Në vigjilje të sfidës së nesërme ndaj Teutës, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 16:45, e vlefshme për javën e 28-të në Kategorinë Superiore, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, i cili ka analizuar këtë takim për të kuqtë:

“Ka qenë ditë historike për klubin, ka pasur dhe entuziazëm. Një investim i tillë duhet përshëndetur sepse është privat dhe këtë e ka bërë presidenti ynë dhe është një kompleks dhe një stadium që klubi Partizani dhe e gjithë tifozeria e saj e meriton dhe shpresojmë që të jetë një ogur i mirë për rezultatet në vazhdim.

Teuta është kampionia në fuqi dhe pavarësisht oshilacioneve të saj në rezultate, përsa i përket fitores sonë të bërë fazën e tretë nuk ndikon dhe do të jetë një histori tjetër nesër sepse forma e skuadrave ndryshon. Duhet të jemi të përqendruar dhe të jemi në maksimum për të arritur rezultat pozitiv.

Partizani është në mesin e tabelës, por jemi në garë që me një fitore mund të arrihet objektivi minimal që është Europa. Partizani nuk bën pjesë te skuadrat që do motivim, duhet të jemi shumë të përqendruar te ndeshja e nesërme. Ka shumë ngarkesë të madhe të kalendarit sidomos të skuadrave që janë pjesëmarrëse në Kupë.

Partizani është edhe te kampionati dhe te Kupa sepse kjo e fundit të çon më shpejt në Europë, por edhe kampionati është mundësi reale sepse janë në lojë edhe 27 pikë dhe nuk kemi pse dorëzohemi. Të gjitha skuadrat vuajnë për stadium, ka humbur miti i fushës.

Ndoshta mund ta kesh më të lehtë kur luan në transfertë. Statistikat tregojnë se skuadra është në përmirësim e sipër. Më shumë na ka shqetësuar mënyra sesi e pësojmë golin, por kemi qenë të përqendruar edhe te shënimi i golit. Në 20 metrat e fundit kemi pasur shumë situata, por nuk kemi mundur të shënojnë.

Duhet të jemi më cinikë. Për këtë pjesë, jam munduar që në momentin që kam ardhur. Skuadra ka treguar rritje, por duhet të kemi parasysh edhe elementet që ka Partizani. Agresiviteti vjen gradualisht pasi është e vështirë kur skuadra pëson shumë ndryshime gjatë sezonit.

Jam munduar që në shumë ndeshje ta interpretojmë mirë dhe kjo ngelet për t’u parë në ndeshjet në vazhdim. Në shumë situata, jam munduar që ta përshtas sa më mirë pozicionin e Kallakut. Ai ka cilësi fantazisti, është një numër 10, por e kam shpjeguar që Kallaku ka patur oshilacione për shkak të probleme fizike.

Në momentin kur lojtari ka probleme të tilla nuk mund të arrijë të bëjë më të mirën e tij. Është një lojtar profesionist dhe ka vlerat e tij, sidomos vitin e kaluar te Vllaznia.

Marku nuk ka qenë ai që kemi pritur dhe mendoj se nuk është përshtatur akoma te Partizani edhe pse ka cilësi të mira. Ndodh që të mos përshtatesh me një skuadër edhe pse ke cilësi të mira.”, përfundoi Dritan Mehmeti.