Kategoria e Parë luan tri javët e fun dit të saj, por Dinamo ka për të luajtur vetëm 180 minuta. Blutë kanë edhe një trepikësh në tavolinë ndaj Tërbunit, ndaj kanë shanse që llogaritë me ngjitjen t’i mbyllin që të dielën. Që kjo të ndodhë, duhet fillimisht të fitojnë. Në rastin më të keq, shtesa mund të shtyhet në Luz. Në letër i kanë mundësitë edhe për titullin kampion, megjithatë parësore është vetëm elita. I këtij mendimi është edhe Dritan Mehmeti, ndaj “lutet” që këtë histori ta mbyllin në “Roza Haxhiu”. Në një intervistë për “Panorama Sport” trajneri e cilëson këtë sfidë me një koeficient të lartë vështirësie, ndaj këkron jo vetëm kujdes, por edhe pak fat.
Profesor, përpara keni një ndeshje shumë të rëndësishme me Lushnjën. Si është gjendja e skuadrës?
Skuadra ka punuar mirë gjatë javës, por kemi ato problemet që dihen me lojtarë si Denison dhe Bardhi.
Do të jenë gati?
Do të shohim me kujdes gjendjen e tyre fizike deri në momentin e fundit dhe pastaj do të vendosim. Bëhet fjalë për dy lojtarë të rëndësishëm të skuadrës, ndërkohë që mungesë e sigurt është edhe Smaçi. Pjesa tjetër e lojtarëve janë në gjendje të mirë.
Ju keni një objektiv madhor për të arritur, por edhe Lushnja kërkon qëndrimin në kategori. Si e prisni këtë ndeshje?
Që do të jetë e vështirë, nuk diskutohet. Ndeshje të tilla, kur përballë ke një kundërshtar që nuk ka çfarë humb dhe që do me çdo kusht pikë, gjithmonë koeficienti i vështirësisë rritet. Megjithatë, objektivi i Dinamos mbetet fitorja. Ne duam të sigurojmë sa më parë Superiore dhe uroj të kemi edhe pak fat në këtë 90-minutësh. Uroj gjithashtu që edhe gjendja e fushës në stadiumin e Lushnjës të jetë sa më e mirë ditën e diel.
A është kjo Dinamo në gjendje ta përballojë presionin e ndeshjeve të tilla?
Besoj se po. Me ekipin kemi punuar edhe në aspektin psikologjik dhe shpresoj që lojtarët ta interpretojnë si duhet këtë sfidë, që gjithsesi mbetet shumë e vështirë, siç e thashë që në fillim. Janë ndeshje që kërkojnë motivim dhe përqendrim maksimal në çdo moment.
Sa e njihni kundërshtarin e kësaj jave, e keni ndjekur?
Lushnja është një nga skuadrat e traditës në futbollin shqiptar, pavarësisht se momentalisht ndodhet në një pozicionin të vështirë, ku lufton për mbijetesë. Është një skuadër që gjithmonë duhet marrë në konsideratë dhe që duhet vlerësuar drejt. E kemi të qartë se ata do të luajnë gjithçka për gjithçka, prandaj dhe jemi përgatitur për këtë pjesë. Le t’ia lëmë të tjerat fushës.
Ju, Skënderbeu dhe Flamurtari vazhdoni garën e ndezur për 2 vendet që të çojnë direkt në elitë. Si e parashikoni fundin e kampionatit?
Ne jemi të përqendruar vetëm te ndeshjet tona dhe duam vetëm që të bëjmë si duhet detyrën. Nëse e sigurojmë Superioren që në Lushnjë, do të jetë më mirë për ne. Gjithsesi, kam bindjen se Dinamo do të jetë në fund një nga dy skuadrat që do të kenë në dorë “biletën” e Superiores