Opinion nga Gjon GJEKA
U bënë disa vite që e ndjek futbollin nga afër, madje edhe më nga afër se sportdashësit, specialistët apo edhe kolegë e gazetarë apo Tribuna VIP, duke qenë se kam disa vite që qëndroj në pistat e stadiumeve me aparatin fotografik për të fiksuar momentet më të bukura të ndeshjeve të ndryshme të kampionatit tonë të futbollit. Shumë shpesh më ka rastisur që të shoh veprimet skandaloze të arbitrave dhe jo rradhë kam dëgjuar nga afër replikat e futbollistëve dhe trajnerëve me vijërojtësit apo edhe me arbitrin kryesor, nuk mund të them me siguri se këto arbitra gjykojnë me urdhëra të federatës apo vetëbëhen “kamikazë” por e vërteta është konkrete, pothuajse në shumë raste gjykimi i tyre është tendencioz dhe skandaloz, mjafton të kujtojë atë që ndodhi para disa javësh në Pogradec në ndeshjen Skënderbeu – Flamurtari (e vlefshme për kupë) ku arbitrat veprojnë në mënyrën më të çuditshme duke bërë gabim mbi gabim por ende më qesharake bëhet kjo kur mësuam se komisioni i disiplinës në FSHF i zbret 3 pikë Flamurtarit për braktisjen e ndeshjes! Për t’ia rikthyer Apeli disa javë më pas!!!
Thashë këto më sipër si parantezë e atyre që ka ndodhur, po ndodhin dhe fatkeqësisht do të ndodhin në kampionatin shqiptar edhe në të ardhmen. Besoj se të gjithë jemi bërë nervoz dhe jemi indinjuar duke parë ndeshjen miqësore Gjeorgji – Shqipëri, dhe në fund arritëm në konluzionin se kombëtarja jonë di të luajë futboll por nuk di të fitojë! Edhe pse pjesa më e madhe e futbollistëvë të thirrur nga tekniku De Biazi ishin nga kampionati jonë, ato treguan cilësi dhe se vërtetë dinë që të luajnë futboll por me sa duket “mëkatet” e kampionatit tonë po bien mbi kombëtaren në aspektin e gjykimit.
Në asamblenë e FSHF-së që u zhvillua para pak ditësh në shkodër, të gjithë drejtuesit “rrezatonin” normalitet dhe kënaqsi për futbollin shqiptar. A thua se çdo gjë ishte OK përfshi presidentin Duka por edhe teknikun e kombëtares De Biazi, po tani që ju ndodhi në Tbilis në ndeshjen me Gjeorgjinë, një gjykim tendencioz dhe skandaloz sidomos nga fundi i ndeshjes, gjykim tipik “alla-shqiptar”, çfarë ka menduar Duka? Nëse s’do të ishte ndeshje miqësore do t’i kishte urdhëruar futbollistët që të braktisin ndeshjen që t’i jepej ndeshja në tavolinë nga UEFA apo do t’i kishte thënë ndonjë tifozi që të godasë vijërojtësin me gurë? Jo, jo nuk do të kishte ndodhur asnjëra nga këto se ai që nuk është i drejtë me “familjen” e vet, nuk ka moral me “miqtë” e tij.
Unë si shqiptar, më vjen natyrshëm që t’u them BRAVO djemve të kombëtares për lojën e bukur qe zhvilluan në Gjeorgji, ndjej keqardhje se për sa kohë do të kemi në krye të FSHF-së persona të tillë që nuk gëzojnë asnjë respekt nga futbolldashësit shqiptarë, kështu do të nëpërkëmbet e do të përligjet djersa e futbollistave tanë.