Ardian Mema ka thënë gjithçka në fund të TiranaKastrioti. E konsideron vdekje nëse skuadra bie nga kategoria. Trajneri i Tiranës ka folur edhe për kombinimet për të qëndruar në Kategorinë Superiore.
Mema u ka bërë thirrje lojtarëve që të kthejnë situatën në favor të Tiranës, por kjo duhet të bëhet me një rezultat pozitiv në sfidën e radhës me Laçin, që gjithsesi është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ja intervista e Ardian Memës dhënë për mediat pas sfidës me Kastriotin.
Çfarë ndodhi ndaj Kastriotit?
Ka munguar karakteri sportiv. Kjo është ajo pjesa që lojtarët duhet të kenë një përqendrim më të mirë dhe shpirt gare. Kjo gjë më ka lodhur më shumë që prej fillimit të sezonit. Megjithatë, do të shohim takimet në vazhdim. Asgjë nuk ka marrë fund. Ne do t’i bëjmë hyzmetin deri në fund.
Kastrioti gëzoi shumë, por ka kalendar goxha të vështirë?
Kjo është nga ato gjërat e çuditshme. Nuk e kuptoj se si gëzohen para kohe. Edhe sikur ta fitoja ndeshjen, nuk do të gëzoja, sepse për sa kohë është matematika, nuk mund të flasësh. Nëse duan që të tolerohet, le ta bëjnë. Nuk jam i fuqishëm për ta ndaluar një gjë të tillë.
E shikoni si shenjë…
Edhe mund të jetë. Kujtoj këtu ndeshjen që na kanë grabitur në Krujë (FushëKrujë). Atë e pa gjithë opinioni sportdashës dhe gazetarët. Ne nuk i kemi grabitur asgjë askujt. Jemi këtu me këmbët tona.
Personalisht i donit tifozët?
I doja dhe i kam dashur gjithmonë. Nuk mund të luhet pa tifozë. Nëse luan me stadium bosh, është si të dëgjosh muzikë funebër. Deri sa kam pranuar të rri te Tirana, kam pranuar edhe kushtet e saj, pra të qenit kështu siç është. Përgjegjësitë e mia janë të parat. Unë do të marr përgjegjësitë për çdo lloj rezultati negativ dhe pozitiv.
Tiranën unë kështu e kam gjetur. Nuk është ekipi që e kam ndërtuar unë. Kemi bërë mirë disa herë, por që nëse ndodh diçka negative, u them miqve që na ka rënë një vdekje. Unë jam i lidhur, por inshallah çunat do na heqin këtë lloj stresi dhe do të shohim përpara.