Tirana fitoi me rezultatin 4-0 kundër Kastriotit në një “luftë mbijetese”. Një frymëmarrje për skuadrën e bardhebluve dhe vetë trajnerin Ardian Mema merr fitoren e parë në krye të stolit. Për të kjo fitore është mjaft e rëndësishme, pasi çliron psikologjikisht skuadrën. Numri një i stolit vlerësoi futbollistët për grintën e treguar në këtë sfidë dhe mendon se kjo është një pikë kthese për ekipin e tij.

Fitorja – “Do të thoja se kjo fitore vlen më shumë se 3 pikë. E kam pritur para disa ndeshjes, por le të themi fati. Fitorja vjen pas punes. Fituam 4-0, por kishim dhe momente nervozizmi kur nuk shkoi mirë ndeshja. Mendoj se rezultati thotë gjithçka për këtë ndeshje”.

Goli i shpejtë – “Kemi shënuar gola dhe në ndeshje të tjera. Ekipi tregoi forcë karakteri dhe qëndroi ekuilibër. Ana psikologjike ishte më e qetë pas shënimit. Humbja me Partizanin la shenja në ekip”.

Greca – Mawejje – “E përforcova mesin e fushës, pasi kundërshtari po na sulmonte dhe na krijonte raste. Mendova të fus dy lojtarë përpara në sulm dhe pjesa tjetër në mesfushë. Skemë e aplikuar më përpara nga ne dhe mendova ta përdor sërish”.

Objektivat e merkatos – “Kjo ndeshje nuk ndikon fare në merkato. Ne po kërkojmë futbollistë, por nuk mund të them pozicionet”.

Xhafa – “Një trajner duhet të jetë gjithmonë i qetë. Duhet të jetë pjesa e vendimarrjes”.

Sa % e kësaj skuadre vlen? – “Nuk mund të them. Po shohim për lojtarë kam biseduar me presidentin dhe përgjegjësit për këtë punë. Ka hapësira për çdo njeri”.

Atmosfera – “Shpresoj që lojtarët të lirohen pak te kjo pjesa. Kjo është vetëm një ndeshje dhe duhet të punojmë fort dhe të mos e humbim përqëndrimin. Kemi ndeshjen e radhës kundër Laçit”.

Dedikimi – “Shkon për tifozët, pavarësisht se ata presin shumë më shumë nga ne. Ne duhet të punojmë fort për t’i falur atyre kënaqësi”.