Ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, është i ftuar i përjavshëm në emisionin “Sport News Plus” të moderatores Daljana Sejdia në “News 24”. Në analizën e tij në lidhje me situatën në Kategorinë Superiore, Mema u shpreh:

VLLAZNIA- “E mendonim që Teuta mund të ishte një test force. Por, po ta shikosh ndeshjen të shtrirë në 90 minuta, do të shikosh një Vllazni dominuese. Edhe kur ishte me 10 futbollistë, Vllaznia ishte superiore. Vllaznia është pretendente për kampion. Nuk e kuptova fare Teutën.

Vllaznia ka lëvizje të automatizuara. Një trajner duhet ta lexojë mirë ndeshjen dhe të marrë masat. Se kuptoj fare, se si mundet që një ekip të diktojë gjatë gjithë kohës. Vllaznia bëri një ndeshje sikur ka luajtur me një ekip normal, jo me një rival.

Lojtarët i jepnin një rritëm lojës si e donin. Nuk e kuptova apatinë e Teutës, me atë organik lojtarësh. Ishte një ekip që kishte shkuar si për shëtitje në Shkodër, jo për futboll.

Çudia e madhe është që te Vllaznia kanë afruar 16 futbollistë që po bëjnë diferencën. Gjithmonë thuhet që kush e ruan organikën e lojtarëve ka përparësi. Unë mendoj se frymën ta sjell fitorja.

Vllaznia është pak e uritur, janë klubi më i mirë në Shqipëri bashkë me Tiranën. Teuta dhe Partizani më kanë zhgënjyer me mënyrën e lojës. Nuk dilet kampion me deklarata, kampion dilet me punë”, u shpreh Mema.