Trajneri Migen Memelli e ka cilësuar një fitore me vlerë 6 pikë atë që Vllaznia e tij mori të shtunën në Korçë. Pas ndeshjes ai iu përgjigj interesimit të gazetës rreth situatës në ekip dhe planit që ka për të ardhmen. Ai ka vlerësuar ish-skuadrën e tij, Skënderbeun, për atë çka dha në fushë dhe ka falënderuar tifozët korçarë për pritjen e ngrohtë që i bënë.

“Së pasi dua të falënderoj të gjithë tifozët korçarë për mikpritjen e ngrohtë. Parë në këndvështrimin e lojës, ne vinim si një skuadër në “krizë” rezultatesh, por jo në lojë. Kishim një skuadër përballë shumë të organizuar. Patëm fat në këtë ndeshje, pasi ai autogol na ndihmoi të kalonim ngërçin psikologjik.

Ne nuk po shkonim te porta kundërshtare ashtu si duhet. Mendoj se të dy ekipet kanë bërë një paraqitje mjaft korrekte, pavarësisht kartonëve që u dhanë, sepse të dyja skuadrat kanë kërkuar që të mos e humbasin ndeshjen. Pati një lojë të luftuar dhe fati na buzëqeshi ne. Në total mendoj se e merituam fitoren, sepse gjatë pjesës së dytë këmbëngulëm për ta gjetur golin.

Por jemi të ndërgjegjshëm se ky është një kampionat që nuk njeh fushë dhe këtë duhet ta pranojmë të gjithë. Gjithkush mund të fitojë kudo. Ne vinim me një mal me mungesa dhe nuk ishte aspak e lehtë që të bënim zgjedhjet e duhura në fushë. Kishim shumë zhvendosje në pozicionet natyrale dhe kjo ndikon në çdo ekip, jo vetëm te Vllaznia.

Është një trepikësh që na qetëson, por asnjë javë nuk i ngjan tjetrës. Ndeshjet janë të vështira kudo që të luash. Duhet të jemi më dinamikë dhe të futemi me besim në ndeshje. Kemi lënë pikë në disa fusha ku mund të kishim marrë më tepër.

Besoj se duhet të kishim tre pikë më shumë dhe atëherë mund ta quanim se jemi brenda pritshmërive. Të mos harrojmë që Korça është një fortesë mjaft e rëndësishme dhe ne kemi fituar atje ku shumë skuadra të tjera kanë humbur. Prandaj mendoj se transferta e Korçës është gjithmonë 6 pikë.”- deklaroi Memelli.