Fitorja e Vllaznisë sot në Korçë ndaj Skënderbeut ndoshta nuk është pritur nga shumë opinionistë e analistë në mediat e kryeqytetit. Për ta skuadra kuqeblu duhet të tregojë se vërtetë ka ndryshuar në krahasim me sezonet e kaluara.
Të njëjtën gjë ka përmendur edhe ish- futbollisti i njohur Migen Memelli i cili tashmë në rolin e analistit në emisionin “Gol pas Goli” është shprehur:
“Vllaznia mu duk më e lirshme, hyri në fushën e lojës më e qetë, ishte më e saktë në mënyrën e saj të lojës, në mënyrën si e menaxhoi atë. Ajo ishte e bindur se do të merrte maksimumin në këtë ndeshje dhe ia doli.
Megjithatë është vetëm fillimi i sezonit për të gjitha skuadrat dhe padyshim që secila ka pritshmëritë e saj. Vllaznia dëshiron të marrë frutet e punës së bërë në merkato.
Ka marrë lojtarë shumë cilësorë dhe kjo duket edhe tek mënyra e ekzekutimit të golit të dytë. Një hyrje vertikale në zonë nga futbollisti Da Silva, një ekzekutim i jashtëzakonshëm, driblim i portierit dhe dërgim i topit në rrjetë pastaj.
Por Vllaznia duhet të tregojë vazhdimësi në kampionat sepse në vitet e kaluara nuk e ka treguar një gjë të tillë dhe nga kjo është penalizuar”./SHKODRA-SPORT.COM/