Vllaznia luan të shtunën një ndeshje delikate për vazhdimësinë në kampionat, pikërisht në transfertë ndaj Skënderbeut në orën 17:00 në stadiumin e Korçës. Situata te kuqeblutë nuk është e mirë dhe nëntë pikë në tetë javë kampionat kanë lënë të zhgënjyer drejtuesit dhe sigurisht tifozët kuqeblu, të cilët prisnin që skuadra të ishte të paktën në katërshe brenda fazës së parë.
Megjithatë, trajnerit Migen Memelli i është dhënë besim nga presidenca për të vijuar punën i qetë, por vetë kreu i klubit, Alban Xhaferi, ka bërë të ditur se pret reflektim nga skuadra, duke filluar nga ndeshja e radhës.
TRAJNERI – Migen Memelli e ka drejtuar Skënderbeun në dy periudha të ndryshme në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë. Tashmë, trajneri pogradecar rikthehet në Korçë si kundërshtar, në një prej momenteve më delikate të Vllaznisë. Memelli do të kërkojë të mposhtë bardhekuqtë si trajner i shkodranëve, për të shmangur thellimin e krizës. Vllaznia vjen nga një goditje psikologjike që mori në ndeshjen ndaj Tiranës, ku humbi në sekondat e fundit dhe kjo ka lënë jo pak pasoja.
Trajneri ka punuar jo vetëm në aspektin taktik para kësaj ndeshjeje, por edhe në atë psikologjik. Memelli kërkon më tepër angazhim nga lojtarët dhe mbi të gjitha përqendrim maksimal deri në momentet e fundit të takimeve, duke mos përsëritur atë që ndodhi me Tiranën. Duke njohur mirë mentalitetin e Skënderbeut dhe mënyrën se si luajnë korçarët, Memelli ka ndërtuar një strategji për të thyer ish-skuadrën.
PROBLEMET- Kuqeblutë shkojnë në Shkodër me një “mal” me mungesa. Mbrojtësi i djathtë, Geralb Smajli, i cili dje luajti me Kombëtaren U-21 ndaj Malit të Zi, si dhe mesfushori Ardit Krymi, nuk do të jenë të gatshëm për shkak kartonësh. Në të njëjtën kohë, për shkak dëmtimesh nuk janë ende të gatshëm për këtë takim portieri Kristi Qarri, mbrojtësit Xhelil Asani dhe Flori Spahija, si dhe sulmuesi Bruno Gomes. Edhe pse një pjesë e tyre janë rikthyer në stërvitje, nuk janë në gjendjen optimale për t’u luajtur.
Mirëpo, shqetësimi më i madh para ndeshjes me Skënderbeun është pikërisht mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj. Edhe pse është stërvitur në ditët e para të javës, mësohet se ai ka ndierë shqetësime sërish në pulpë dhe gjithçka do të shikohet në vazhdimësi. Hakaj mban peng formacionin, pasi alternativat në krahët e mbrojtjes janë të pakta.