Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli foli në emisionin “Skaner” në MCN TV për situatën në skuadrën shkodrane.

Referuar largimeve të shumta, Memelli deklaroi se nuk mund të mbahen lojtarë me zor, ndërsa shtoi se Gurishtës, Jonuzit dhe Latifit, u është ofruar rinovimi.

Tekniku kuqeblu, zbuloi se klubi është në bisedime, për afrimin e dy lojtarëve shumë të rëndësishëm, por nuk tregoi emrat.

“Në një industri si futbolli, nuk mund të mbajmë dot lojtarë me zor. Lojtarët që përfunduan kampionatin me Vllazninë, duhet të falënderohen të gjithë, sepse arritën obejtkivin Europë.

Jam koshient që duhet ndërtuar skuadra në ditët në vazhdim. Të presim të ndërtohet skuadra dhe më pas të ketë vlerësim për skuadrën dhe për stafin. Duhet të jemi të duruar dhe të mos harrojmë, që ekipet e futbollit duan një qetësi konstante në periudhën e ndërtimit. Duhet të jemi të kujdesshëm me emrat, që nuk duhet t’i bëjmë të ditura. Duhet të bëjmë afrime të studiuara mirë.

Gurishta është larguar për një skuadër më të mirë. Nuk kemi pse të aludojmë. Ka dhënë maksimumin për Vllazninë dhe ka parë karrierën e vet. Si Jonuzi dhe Latifi që shkuan te Tirana. Në dijeninë time, atyre u është ofruar rinovimi, por nuk ka pasur marrëveshje.
Nuk dua t’i heq asnjë presje deklaratës në prezantim.

Detyra është të ndërtojmë një skuadër sa më solide. Sa të bëjmë këto, pretendimet do të jenë të larta. Besoj se do të bëjmë një skuadër të fortë, megjithëse koha nuk na premton për ndeshjen e Europës. Kemi edhe dy muaj, për të plotësuar skuadrën plotësisht.

Linfild e njohim mirë. Sot bënë një miqësore dhe fituan 3-1. Marrim informacione për kundërshtarin, çdo ditë. Ne do bëjmë çdo gjë që është e mundur, me forcën tonë. Nuk kemi pasur dëmtime. Do bëjmë gjithçka në atë që mundemi ne, për të tentuar kalimin e turit.

Momentalisht jemi në bisedime me dy lojtarë shumë të rëndësishëm. Nuk mund të përmend emra. Vala e kësaj merkatoje është e nxehtë dhe do dëmtoja klubin apo lojtrarët. Do presim ditët në vazhdim, se çfarë do të ndodhë.

Disavantazhin e kemi me kohën, sesa do të përshtaten me skuadrën. Tani kemi një skuadër 80% të re. Nuk është e lehtë. Kam besim te lojtarët. Kam parë një grup lojtarësh të përkushtuar. Kjo më bën të besoj, se mundi dhe djersa mund të shpërblehet.

Qëllimi im është vetëm një. Nuk kam ardhur në Shkodër të tregoj sa trajner i madh jam. Kam ardhur që të futem në zemrat e lojtarëve dhe ata në zemrën time. Me punën tonë të futemi në zemrat e tifozëve. Do bëjmë afrime. Kemi marrë garanci nga klubi. Duhet të jenë sa më efikase, aty ku ne mendojmë.”, u shpreh Memelli.