Egnatia pret Laçin sot në 15:00 në stadiumin e Rrogozhinës, teksa do të kërkojë rikthimin te fitorja.
Mungesa të sigurta për shkak dëmtimesh janë mbrojtësit e majtë Emiljano Musta dhe Edison Ndreca, ndërsa pritet të rikthehet titullar Hysen Memolla. Trajneri Edlir Tetova foli për “Panorama Sport” para duelit me kurbinasit, duke theksuar se skuadra e tij synon vetëm tri pikët. Tetova komentoi edhe sfidën me homologun e tij, Skerdi Bejzade, me të cilin dikur ka qenë në një ekip, si dhe në fund bëri një mesazh për tifozët rrogozhinas.
Tetova, prisni Laçin në Rrogozhinë. Tri pikët janë synimi i vetëm?
Jemi koshientë që kemi një ndeshje të vështirë. Laçi është një skuadër simpatike dhe me të rinj që po luajnë mirë. Megjithatë, jemi përgatitur të japim maksimumin dhe do të synojmë tri pikët për të vijuar rrugëtimin tonë.
Sa ua prish planet mungesa e dy mbrojtësve të majtë, Musta dhe Ndreca?
Skuadra do të vijojë të luajë si më parë, pasi në të majtë do të aktivizohet Memolla. Për Hysenin është roli i tij natyral, pasi ka qenë edhe me fanellën e Kombëtares në këtë pozicion.
Në sezonin 2005-2006 jeni shpallur kampion me Elbasanin dhe shok skuadre keni pasur Bejzaden, ndërsa sot do ta keni rival si trajner. Çfarë do t’i thoni homologut tuaj?
Kemi kaluar momente fantastike me Skerdin, pasi arritën të fitonim titullin me Elbasanin. I them mikut tim që “fitoftë më i miri”.
Besoni se keni shanse të mëdha që këtë sezon të shpalleni kampion?
Jemi herët për të folur për titullin kampion, megjithatë ne do të tentojmë shanset tona, pasi kemi treguar që mundim këdo me rezultate dhe lojë. Presidenti Demrozi na ka ofruar një skuadër kompetitive dhe unë jam i lumtur që drejtoj këta djem të shkëlqyer.
Është e vështirë të menaxhoni një grup cilësor lojtarësh, ku natyrisht konkurrenca është e madhe në të gjitha pozicionet?
Për mua është luks dhe privilegj të udhëheq këta futbollistë të shkëlqyer, të cilët janë djem fantastik edhe përtej futbollit. Në fushë luajnë më të mirët dhe ata që janë më në formë. Çdo futbollist është i rëndësishëm dhe ne punojmë për të arritur objektivat.
Keni një mesazh për tifozët rrogozhinas?
Jam këtu për të mirën e klubit dhe këtë e kemi demonstruar me rezultate konkrete. Ne punojmë çdo ditë për t’i lumturuar tifozët, kështu që presim mbështetjen e tyre në ndeshjen ndaj Laçit.