Shqipëria është shpallur fituese e turneut ndërkombëtar “Memorial Vllaznia 2014″. Mes 7 shteteve pjesëmarrëse, kuqezinjtë kanë arritur që të rrëmbejnë vendin e parë me 12 pikë të grumbulluar. Përveç Kupës si fitues, Xhuljo Vrenozi i Shqipërisë u shpall boksieri më i mirë i aktivitetit e po ashtu mori edhe medaljen e arit në peshën 69 kilogramë, teksa mundi në finale shqiptarin tjetër Albi Sorra. Shqipëria në këtë turne u nderua me dy medalje teksa përveç Vrenozit, vendin e parë e fitoi edhe shkodrani Kristian Shytani, i cili u shpall fitues në peshën 64 kilogramë përballë shqiptarit tjetër Arnold Kuqari. Turneu hapet me finalen e peshës 52 kilogramë ku Zhakipov i Kazakistanit mund bashkëkombësin e tij Tamemov. Në peshën 62 kilogramë, Mauro Cani i Shqipërisë nuk arrin të fitojë ndaj Tilegenli të Kazakistanit. Ndeshja e peshës 75 kilogramë mes Alban Bermetës të Shqipërisë dhe Salvatore Kavalaro të Italisë krijoi probleme dhe kundërshtime. Në raundin e tretë një faull i dhënë për Bermetën dhe ndërhyrja e doktorit për ta tërhequr boksierin shqiptar e më pas dhënia e vendimit për humbjen e ndeshjes ka bërë që disa tifozë të zbresin në pallatin e sportit ndërsa të tjerët u ndaluan nga policia. Edhe vetë Bermeta nuk ka qenë dakord me këtë vendim. Megjithatë pas qetësimit të situatës, specialistët shpjeguan se humbja e Bermetës ishte e merituar dhe vendimi i arbitrave ishte i drejtë. U pretendua që edhe pse doktori bëri tërheqjen e Bermetës, të mblidheshin pikët deri në atë moment të raundit të tretë, gjë e cila nuk ndodhi duke krijuar nervozizëm te tifozët. Pas qetësimit të situatës në peshën 81 kilogramë, David Nika i Zelandës së Re ka fituar përballë italianit Valentino Manfredonia. Në peshën e rëndë 91 kilogramë, Sevostanov ka mundur Radonjiç të Maqedonisë. Takimi i fundit në peshën super të rëndë +91 kilogramë, Rosano i Italisë fitoi përballë Beganoviç të Maqedonisë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Gjergj Leqejza pas turneut u shpreh se është i pakënaqur me cilësinë. “Natyrisht që jam i lumtur për triumfin e Shqipërisë dhe fitimin e dy medaljeve nga boksierët tanë, por, nga ana tjetër, ne jemi për masivizimin dhe arritjen e cilësisë. Sa i takon cilësisë, nuk jam i kënaqur”. Kurse trajneri i kombëtares Zef Gjoni u shpreh i lumtur me medaljet. “Fituam dy medalje të merituara dhe kupën e boksierit më të mirë si dhe u shpallën skuadra fituese. Për të gjitha këto jam i lumtur dhe besoj se është një sukses për ne”. Ky është turneu i 11-të radhazi që zhvillohet në nder të figurave të boksit që nuk jetojnë më e pikerisht ne nderim te Dervish Hebovijes, Shyqyri Halilit, Ymer Grudes, Fadil Efovijes, Ndoc Gjonit, Nazmi Halilit, Kolec Ashikut, Lem Kosoves dhe Shpresim Bregut , ndërsa është hera e dytë që Shqipëria merr vendin e parë në këtë turne.
FINALET
Pesha 52 kg
Birzan Zhakipov (Kaz)-Jerlan Tamemov (Kaz) 2-1
Pesha 56 kg
Zhanbalat Tilegenli (Kaz)-Mauro Cani (Shqipëri) fiton Tilegenyli me KO
Pesha 64 kg
Kristian Shytani (Shqipëri)-Arnold Kuqari (Shqipëri) 3-0
Pesha 69 kg
Xhuljo Vrenozi (Shqipëri)-Albi Sorra (Shqipëri) 3-0
Pesha 75 kg
Alban Bermeta (Shqipëri)-Salvatore Kavalaro (Ita)
fiton Kavalaro, mjeku tërheq Bermetën
Pesha 81 kg
David Nika (Z.e Re)-Valentino Manfredonia (Ita) fiton Nika me KO
Pesha 91 kg
Aleksi Sevostanov (Kaz)-Marko Radonjiç (Maq) 3-0
Pesha +91 kg
Tomaso Rosano (Ita)-Alen Beganoviç (Maq) fiton Rosano me KO
Senad Nikshiqi