
Gjatë ditës së sotme, kanë mbërritur në Shkodër të gjithë ekipet me sportistët që do boksojnë në Memorialin e nëntë ndërkombëtar të boksit “Vllaznia 2012”. Në të, do marrin pjesë plot 15 shtete nga e mbarë bota dhe për më tepër, pjesmarrës do jenë kampionë olimpikë, kampionë bote, kampion Mesdheu dhe kampionë Afrike. Tashmë çdo gjë duket gati për nisjen e tij teksa në Shkodër gjatë ditës së sotme kanë mbërritur boksierët e të 15 shteteve pjesmarrëse nga e mbarë bota, që janë pritur në Rinas nga përfaqësues të klubit Vllaznia dhe janë sistemuar në hotelet e këtij qyteti, pikërisht tek “Colosseo”, “Rozafa”, “Argenti” dhe “Kaduku”. Një pjesmarrje e tillë është shumë e veçantë sepse është aktiviteti më i madh sportiv që është zhvilluar ndonjëherë në Shkodër. Pjesmarrja e boksierëve nga Italia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia, Nigeria, Egjipti, Kazakistani, Uzbekistani, Maroku, Sri Lanka, Gambia, Ekuadori dhe Tunizia, përveç atyre të kombëtares shqiptare pritet të dhurojë sfida shumë interesante. Për përballimin e këtij Memoriali, sigurisht që fondi i akorduar nga Bashkia Shkodër nuk ka qenë i mjaftueshëm e për këtë arsye, falë dashamirësisë së biznesmenëve Gjergj Leqejza, deputetit të Shkodrës Tom Doshi, Flamur Hoxhës, Gjergj Livadhit, Sami Shoshit dhe OST-se, është bërë e mundur pritja, akomodimi dhe zhvillimi i aktivitetit më të rëndësishëm sportiv që është zhvilluar ndonjëherë në qytetin tonë.Ky Memorial siç dihet është i përvitshëm dhe zhvillohet në nderim të Dervish Efovija, Shyqyri Halili, Ymer Gruda, Fadil Efovija, Ndoc Gjoni, Nazmi Halili, Kolec Ashiku, Lem Kosova dhe Shpresim Bregu, të gjithë këta ish-boksierë që nuk jetojnë më. Edicioni i sivjetëm konsiderohet i jashtëzakonshëm për nga pjesmarrja dhe cilësia që pritet të ketë në të tre ditët e zhvillimit të tij’. Memoriali starton pasditen e së premtes në orën 17.00 dhe hyrja në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do jetë falas. Për gjithë ata që nuk mund të jenë prezent në pallatin e sportit, do kenë mundësinë t’i ndjekin të gjitha ndeshjet “LIVE” në ekranin e televizionit Rozafa.
www.shkodrasport.com